
Pas tri operacioneve në gju dhe tërheqjes nga futbolli në vitin 2019, ish-mbrojtësi i Francës, Benoit Tremoulinas, synon një rikthim të jashtëzakonshëm në moshën gati 41-vjeçare, me dëshirën për të veshur sërish fanellën e klubit të zemrës, Girondins de Bordeaux.
“I dhashë gjithçka, provova gjithçka. Por, pas tre operacioneve në gju në dy vjet e gjysmë, gjendja ime fizike nuk më lejon më të vazhdoj karrierën time në futboll”, tha Benoit Tremoulinas për të njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli në moshën 33 vjeçare, në shkurt 2019.
Mbrojtësi i majtë, pesë herë lojtar i kombëtares franceze, u rrëzua duke luftuar.
“Stafi mjekësor i Sevillas më dha shumë injeksione kortikosteroide. Në tre muajt e parë, gjuri im filloi të më dhembte shumë, dhe në vitin tim të dytë (2015-16), më është dashur të bëj ndoshta gjashtë ose shtatë injeksione gjatë sezonit, që është shumë”, zbuloi ai në Canal+.
“Të gjithë kirurgët më thanë: ‘Më falni që e them këtë, por ajo që po bëni është budallallëk’. Ndoshta mund t’i bëni ato injeksione herë pas here, një në vit për të maskuar dhimbjen në një lojë të madhe… por gjashtë ose shtatë janë vetëvrasje!”, pohoi Tremoulinas.
Tani, 10 vjet pasi luajti ndeshjen e tij të fundit si profesionist me Sevillan – ai luajti 74 minuta më 5 maj 2016 në fitoren ndaj Shakhtar Donetsk (3-1) në ndeshjen e dytë të gjysmëfinaleve të Ligën e Evropës – ai kërkon të rikthehet të luajë në Divizionin e Gjashtë.
“Po vazhdojmë me programin, hap pas hapi. Po kthehemi në ritmin e gjërave, duke ecur përpara me vendosmëri, pa harruar të kënaqem. Mos e humbisni episodin tjetër”, parashikoi ai në Instagram në fund të shtatorit.
Të martën, në gazetën L’Equipe, gati për të mbushur 41 vjeç, ai shkoi një hap më tej: “Me shumë përulësi dhe pa pretendime, qëllimi im është të kthehem të luaj për Girondins de Bordeaux”.
“Nëse gjuri im mban, do të luaj përsëri”
Ai është duke u përgatitur për ca kohë. Ish- lojtari i Sevillas ka punuar për gjendjen e tij fizike për pesë javë.
“Planifikoj të rikthehem në stërvitje me grupin pas dy javësh. Nga atje, do t’i jap vetes edhe disa javë për të parë nëse mund ta mbaj ritmin dhe të riorganizoj seancat. Nëse gjuri im mban, do të kthehem të luaj”, njoftoi lojtari për L’Equipe.
Një rikthim që në Francë interpretohet edhe si një ‘provë dashurie’. Produkt i akademisë së të rinjve Girondins, Tremoulinas luajti 220 ndeshje midis viteve 2007 dhe 2013 – duke shënuar tetë gola dhe duke dhënë 35 asistime – përpara se të shkonte te Dynamo Kyiv (2013-14), St-Etienne (2014) dhe Sevilla (2014-17).
Në fakt, ai luajti një rol vendimtar, duke luajtur nën drejtimin e Laurent Blanc, te Girondins, duke fituar një titull në Ligue 1 (2008-09), një Kupë Franceze (2012-13), një Kupë Ligue (2008-09) dhe dy Superkupa Franceze. Për më tepër, në sezonin 2008-09, ai u zgjodh në Ekipin e Sezonit të Ligue 1. /Kampionet/


