
Pas një dite pushimi, të fituar pas fitores ndaj Norvegjisë, Portugalia i është rikthyer stërvitjeve për përgatitjen e ndeshjes së radhës ndaj Danimarkës në Ligën e Kombeve.
Megjithatë, në 15 minutat e para të seancës, të hapura për mediat, Cristiano Ronaldo nuk ishte i pranishëm në fushë.
Sipas mediumit spanjoll “MARCA”, duke iu referuar raportimit të gazetës portugeze “A Bola”, Ronaldo nuk doli për t’u stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës gjatë kohës kur mediat kishin qasje në seancë.

Në të njëjtën situatë ishte edhe Joao Felix, ndërsa mungoi gjithashtu Francisco Conceicao, i cili gjatë së martës iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar nëse mund të vazhdojë qëndrimin me kombëtaren.
Mungesa e Ronaldos vjen pas një situate të pazakontë. Sulmuesi i Portugalisë ishte në dispozicion të trajnerit Jorge Jesus për ndeshjen ndaj Norvegjisë, por nuk u aktivizua asnjë minutë.
Sipas MARCA-s, kjo ishte hera e parë që nga viti 2008 që Ronaldo nuk luajti asnjë minutë në një ndeshje të Portugalisë, një seri prej 6.678 ditësh që u ndërpre të dielën.
Pas ndeshjes me Norvegjinë, Jorge Jesus kishte shpjeguar vendimin për të mos e aktivizuar Ronaldon, duke thënë se fillimisht kishte planifikuar ta fuste në pjesën e fundit të takimit.
“Kisha rënë dakord me të që të hynte në gjysmën e fundit të ndeshjes, por ndeshja nuk e kërkonte. Gonçalo Ramos po luante mirë, kishte shënuar një gol dhe i ishte anuluar një tjetër, ndaj ndjeva se nuk ishte momenti i duhur për ta zëvendësuar”, kishte deklaruar Jesus.

Ndërkohë, A Bola raporton se rreth gjysmë ore para fillimit të seancës së Portugalisë, Ronaldo kishte dalë në fushë. Megjithatë, nuk është bërë e ditur nëse ai u bashkua më pas me pjesën tjetër të skuadrës pasi mediat u larguan nga zona e lejuar për ndjekjen e stërvitjes.
Portugalia po përgatitet për ndeshjen ndaj Danimarkës. /Kampionet/


