
Vinicius Junior ka shpjeguar arsyen e zemërimit të tij pas zëvendësimit në ndeshjen ndaj Romës në Ligën e Kampionëve, të mërkurën mbrëma, në një moment që shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale.
Jose Mourinho e riktheu brazilianin në formacionin titullar për përballjen ndaj Romës, pasi e kishte zëvendësuar në ndeshjen kundër Villarrealit. Megjithatë, këtë herë Vinicius nuk arriti ta shpërblente besimin e trajnerit.
Në minutën e 59-të, kur Real Madridi ishte në disavantazh 3-1, Mourinho vendosi ta largonte nga loja dhe ta zëvendësonte me bashkëkombësin e tij, Endrick.
Vinicius nuk e priti mirë këtë vendim, duke bërë të qartë se nuk pajtohej me zëvendësimin në atë moment të ndeshjes.
“Është e natyrshme të zemërohem kur zëvendësohem, sepse gjithmonë dua të jap më të mirën time dhe ta ndihmoj ekipin. Por ndryshimet e bëra e përcaktuan ndeshjen. Endrick e ndryshoi ritmin e lojës dhe ishte më i miri, ndërsa Carlos (Espi) u aktivizua vetëm për disa minuta dhe arriti të shënonte”, deklaroi braziliani.
Ylli i Real Madridit pranoi se është i pakënaqur me paraqitjet e tij të fundit, por u shpreh i bindur se do të rikthehet në nivelin e tij më të mirë.
“Jam i zemëruar me veten, sepse nuk po e shfaq versionin tim më të mirë. Por, në fund, Vini gjithmonë rikthehet dhe nuk kam asnjë dyshim se do ta gjej sërish nivelin tim”, shtoi ai.
Vinicius foli edhe për vërshëllimat e tifozëve në “Santiago Bernabeu”, duke theksuar se e kupton të drejtën e tyre për të shprehur pakënaqësinë, ndonëse pranoi se reagimet negative nuk e ndihmojnë në fushë.
“Ndoshta vërshëllimat nuk më ndihmojnë, por tifozët paguajnë biletat dhe kanë të drejtë ta shprehin mendimin e tyre. Ne luajmë më mirë kur tifozët janë në anën tonë. Jude Bellingham luan më mirë, Kylian Mbappe luan më mirë dhe edhe unë jam më i mirë”, përfundoi Vinicius./Kampionet/



