
Java e tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës do të mbyllet sonte me përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, e cila zhvillohet në stadiumin “Kampioni Nacional”, me fillim nga ora 18:00.
Kjo është ndeshja e vetme e mbetur për t’u zhvilluar në këtë xhiro, e cila ka sjellë disa rezultate interesante dhe fitore minimale në tri prej katër takimeve të përfunduara.
Vushtrria ka shënuar fitore ndaj Gjilanit me rezultat 1-0, ndërsa Malisheva mori tri pikë të rëndësishme në udhëtim te Drita, duke triumfuar me të njëjtin rezultat.

Fitore si mysafir ka regjistruar edhe Ballkani, që e mposhti Llapin në Podujevë me rezultat 1-0, duke u kthyer në shtëpi me pikët e plota.
Ndërkohë, ndeshja e vetme që nuk prodhoi fitues ishte ajo ndërmjet Drenicës dhe Feronikelit, e cila përfundoi me rezultat 2-2.
Tashmë vëmendja zhvendoset te dueli Prishtina – Dukagjini, ku të dyja skuadrat do të synojnë ta mbyllin javën e tetë me rezultat pozitiv. /Kampionet/


