
José Mourinho ka refuzuar të paraqitet në konferencën për shtyp pas ndeshjes së Real Madridit ndaj Villarrealit, e cila përfundoi me fitoren 1-0 të madrilenëve.
Trajneri portugez ishte tejet i pakënaqur me vendimet e gjyqtarit dhe vendosi të mos prononcohej për mediat, nga frika se deklaratat e tij mund t’i kushtonin një pezullim të mundshëm.
Sipas mediumit spanjoll “Marca”, Mourinho u shpreh pas ndeshjes se dëshironte të shmangte çdo deklaratë që mund ta rrezikonte praninë e tij në stolin e skuadrës në ndeshjet e ardhshme.
“Nuk do të flas, sepse dua të jem në stol kundër Sevillas dhe Barcelonës”, mësohet të ketë thënë portugezi.
LaLiga njoftoi në stadiumin “Santiago Bernabéu” se trajneri i Real Madridit nuk do të merrte pjesë në konferencën për shtyp, pasi nuk ishte paraqitur 40 minuta pas përfundimit të takimit. Asnjë nga lojtarët e skuadrës madrilene nuk doli për të dhënë deklarata për mediat.
Mourinho i zemëruar me përjashtimin e Viniciusit
Pakënaqësia e Mourinhos ndaj gjyqtarit Díaz de Mera ishte e dukshme gjatë gjithë ndeshjes, por momenti që e acaroi më së shumti ishte kartoni i kuq i treguar ndaj Viniciusit, pas incidentit me tërheqjen e flokëve të Salibas.
Trajneri portugez kishte shprehur pakënaqësi edhe pas derbit të qytetit, duke besuar se Atlético Madridi duhej të kishte përfunduar ndeshjen me nëntë lojtarë. Ngjarjet në përballjen me Villarrealin duket se e kanë shtuar edhe më shumë zemërimin e tij ndaj arbitrimit.
Në qendër të diskutimeve ishte edhe goli i anuluar i Viniciusit, përpara se braziliani të përjashtohej me karton të kuq. Këto vendime shkaktuan reagime të shumta dhe tensionuan edhe më tej atmosferën pas ndeshjes.
Mourinho, megjithatë, zgjodhi të heshtte për të shmangur rrezikun e ndëshkimeve të tjera disiplinore.
Konferenca e tij e radhës për shtyp është planifikuar për të martën, në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Romës. Sipas “Marca”-s, trajneri mund të shmangë edhe atëherë komentet për polemikat e krijuara në përballjen me Villarrealin. /Kampionet/


