
Ballkani ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Llapi me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Sami Sermaxhajt ka dalë me tri pikë nga ‘Zahir Pajaziti”, pasi fitoi ndaj ekipi të Tahir Batatinës në ndeshjen e parë pas tri javësh pushim shkaku i ndeshjeve të kombëtareve.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja ekipet, por pa raste të mira shënimi dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat të barabartë 0-0.
Në pjesën e dytë pati më shumë aksion dhe më shumë raste nga të dyja skuadrat, por ishin vetëm mysafirët që gjeten rrjetën, përkundër se edhe vendasit provuan disa herë.
Goli i vetëm në ndeshje erdhi në minutën e 60-të të takimit me anë të Albin Berishës, i cili shënoi për 0-1 dhe deri në fund ky doli të jetë rezultati përfundimtar i ndeshjes dhe i tri pikëve për Ballkanit.
Pas kësaj fitore, Ballkani ngjitet në pozitën e tretë me 13 pikë, ndërsa Llapi zë vendin e parafundit, të nëntin me vetëm tri pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Ballkani e pret Dritën, ndërsa Llapi luan në udhëtim te Feronikeli ’74. /Kampionet/


