
Lionel Messi vazhdon të shkëlqejë në MLS, duke shënuar golin e tij të 19-të në kampionat këtë sezon, por Inter Miami u ndal me barazimin 2-2 ndaj liderit Nashville të shtunën mbrëma.
Nashville e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi që në minutën e katërt.
Sam Surridge përfitoi nga asistimi i Andy Najar për të shënuar dhe për të arritur në kuotën e 14 golave këtë sezon.
Inter Miami reagoi në minutën e 19-të, kur mbrojtësi i Nashville, Reed Baker-Whiting, devijoi topin në portën e tij pas një goditjeje nga këndi, duke e barazuar rezultatin në 1-1.

Messi pati mundësinë të shënonte edhe më herët. Një goditje e tij nga distanca u bllokua, ndërsa më pas provoi edhe nga gjuajtja e lirë, por topi përfundoi jashtë portës.
Megjithatë, ylli argjentinas nuk gaboi në minutën e 62-të. Rodrigo De Paul ia la topin jashtë zonës së rreptësisë, ndërsa Messi, me të majtën e tij, goditi saktë në këndin e poshtëm të majtë për ta përmbysur rezultatin në 2-1.
Ky ishte goli i 928-të i Lionel Messit në karrierën e tij, duke vazhduar një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit.
Inter Miami ishte shumë pranë fitores së parë ndaj Nashville këtë sezon, sidomos pas humbjes së thellë 4-1 në përballjen e fundit, më 15 gusht. Nashville gjithashtu e kishte eliminuar më herët Miamin nga Concacaf Champions Cup.

Por skuadra vendase nuk arriti ta ruante avantazhin.
Në minutën e parë të kohës shtesë, Surridge shënoi golin e tij të dytë personal në ndeshje, duke i dhënë Nashville një pikë dhe duke e mbajtur skuadrën të pamposhtur në të katërta përballjet ndaj Inter Miamit këtë sezon.
Barazimi e mban Nashville në krye të Konferencës Lindore, me nëntë pikë më shumë se Inter Miami, që renditet i dyti.
Nashville do të presë Chicago Fire të shtunën e ardhshme, ndërsa Inter Miami të mërkurën do të përballet në shtëpi me kampionin e Liga MX, Cruz Azul, në kuadër të Campeones Cup. /Kampionet/


