BallinaSuperliga e KosovësKosova kërkon të këndellet ndaj Izraelit dhe të vazhdojë drejt objektivit -...

Kosova kërkon të këndellet ndaj Izraelit dhe të vazhdojë drejt objektivit – Kampionet

Kosova kërkon të këndellet dhe të vazhdojë drejt objektivit në Ligën e Kombeve, ndërsa sfida e radhës ndaj Izraelit në Debrecen të Hungarisë shihet si një moment i rëndësishëm për rrjedhën e mëtejme të kampanjës. Pas fitores 1-0 ndaj Irlandës në Prishtinë, Dardanët pësuan humbje 3-1 nga Austria në Vjenë dhe tani synojnë rikthimin te rezultatet pozitive.

Pas dy xhirove, Austria kryeson grupin me gjashtë pikë, ndërsa Kosova dhe Irlanda kanë nga tri pikë dhe Izraeli është pa pikë.

Objektivi i Kosovës mbetet vendi i dytë, që siguron vazhdimin e garës përmes play-off-it për promovim në Ligën A, por edhe vazo më të favorshme për kualifikimet për Kampionatin Evropian. Për këtë arsye, ndeshja me Izraelin merr peshë të veçantë, pasi një fitore do t’i jepte Kosovës tri pikë të rëndësishme dhe do ta largonte një rival direkt nga gara për pozitën e dytë.

Në kampin tonë e kanë të qartë se pas humbjes në Vjenë duhet reaguar menjëherë. Stafi teknik dhe futbollistët deklarojnë fuqishëm se pas humbjes ndaj Austrisë, fokusi tashmë është tërësisht te Izraeli, me synimin që Kosova të rikthehet te fitorja dhe të vazhdojë rrugëtimin drejt objektivit të saj.

Kombëtarja e KosovësFoto: Brahim Nura

Lojtarët besojnë te fitorja

Nëse Kosova arrin të fitojë në Debrecen, situata në grup mund të bëhet dukshëm më e favorshme, sidomos nëse Austria arrin të marrë pikë ndaj Irlandës në Dublin.

Më pas, Dardanët do ta kenë edhe një përballje tjetër me Austrinë, këtë herë në “Fadil Vokrri”, duke e ditur se çdo pikë në këtë fazë mund të jetë vendimtare për pozitën përfundimtare në grup.

Milot Avdyli ka bërë të ditur se skuadra është përgatitur mirë dhe se tash është momenti për reagim.

“Tash është momenti me u rikthyer te fitorja dhe besoj që bashkërisht do t’ia dalim”, ka thënë Avdyli, duke vënë theksin te nevoja për një paraqitje të mirë dhe rezultat pozitiv.

Edhe Baton Zabërgja ka theksuar se futbollistët e kanë analizuar kundërshtarin dhe e dinë se çfarë i pret në Debrecen.

“Është koha të reflektojmë nga humbja e Austrisë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Izraeli është kundërshtar i fortë dhe se për ta arritur fitoren duhet përqendrim maksimal gjatë gjithë ndeshjes.

Foto: Fehmi Sejdija

Kosova dy herë nën drejtimin e Franco Fodas ishte në vështirësi

Për Kosovën, kjo nuk është hera e parë që një kampanjë nën drejtimin e Franco Fodës përballet me një moment të vështirë. Dy kampanjat e mëparshme që i ka nisur Foda me Dardanët kanë pasur gjithashtu një start të vështirë, por në të dyja rastet gjermani ka ditur ta nxjerrë skuadrën nga situata dhe ta rikthejë te rezultatet pozitive.

Në Ligën e Kombeve 2024/25, Kosova e nisi kampanjën me humbjen 3-0 ndaj Rumanisë në Prishtinë në shtator 2024.

Megjithatë, Dardanët arritën të reagojnë gjatë vazhdimit të garës, përfunduan në vendin e dytë pas Rumanisë dhe më pas përmes play-offit e mposhtën Islandën në të dyja ndeshjet, duke siguruar promovimin në Ligën B.

Një skenar i ngjashëm u përsërit edhe në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Kosova e nisi me humbjen e rëndë 4-0 ndaj Zvicrës në Basel më 5 shtator 2025, por pas atij rezultati nuk pësoi më humbje në grup.

Dardanët përfunduan të dytët dhe siguruan një vend në play-off, ku eliminuan Sllovakinë në gjysmëfinale, ndërsa në finale u mposhtën nga Turqia.

telegrafi.com

Rezultati pozitiv, rikthim në rrugën e duhur

Këto dy raste tregojnë se, pavarësisht mënyrës se si ka nisur kampanja, Kosova nën drejtimin e Fodës ka arritur të reagojë dhe të rikthehet në rrugën e rezultateve pozitive.

Tani sfida është që një reagim i tillë të vijë edhe në kampanjën aktuale, duke nisur nga përballja me Izraelin, që po ashtu pas dy humbjeve, kërkon reagim.

Ndeshja e së enjtes në Debrecen, për këtë arsye, nuk shihet vetëm si një tjetër përballje në Ligën e Kombeve, por si një pikë ku Kosova mund t’i japë drejtim të ri kampanjës.

Me tri pikë ndaj Izraelit, Dardanët do ta forconin pozitën e tyre në garën për vendin e dytë dhe do të hynin me një tjetër atmosferë në sfidën e radhës ndaj Austrisë në Prishtinë. /Kampionet/

Standings provided by Sofascore
RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments