
Sabah ka shkruar historinë në Ligën e Kampionëve me një formacion titullar të pazakontë, duke u bërë skuadra e parë në histori të garës që nis një ndeshje me 11 lojtarë të 11 kombësive të ndryshme.
Kampionët e Azerbajxhanit, të drejtuar nga trajneri lituanez Valdas Dambrauskas, e nisën ndeshjen debutuese në fazën e ligës ndaj Manchester United në “Old Trafford” me një formacion ku secili prej 11 titullarëve përfaqësonte një shtet të ndryshëm.
Sipas të dhënave të Opta-s, në portë ishte kazaku Stas Pokatilov, ndërsa mbrojtja përbëhej nga polaku Tymoteusz Puchacz, afrikano-jugori Aden McCarthy, azerbajxhanasi Rahman Dashdamirov dhe algjeriani Akim Zedadka.
Në mesfushë luajtën kroati Ivan Lepinjica dhe uzbekisti Umarali Rakhmonaliev.
Edhe repartin ofensiv e karakterizonte një përzierje e jashtëzakonshme kombësish. Christian Nwachukwu përfaqësonte Nigerinë, Veljko Simić Serbinë dhe Kaheem Parris Xhamajkën, ndërsa Joy-Lance Mickels nga Ruanda kompletonte formacionin.
Kështu, në 11-shen e Sabahut ishte vetëm një futbollist nga Azerbajxhani.
Në fakt, ndeshja në “Old Trafford” solli një statistikë edhe më të veçantë: Manchester United dhe Sabah kishin së bashku 21 kombësi të ndryshme mes 22 lojtarëve titullarë. E vetmja kombësi e përsëritur ishte ajo belge, me portierin e Man Unitedit, Senne Lammens, dhe Youri Tielemans.
Historia e Sabahut bëhet edhe më interesante duke marrë parasysh moshën e klubit. I themeluar në vitin 2017, klubi fitoi sezonin e kaluar titullin e parë kampion në Azerbajxhan nën drejtimin e Dambrauskas dhe më pas kaloi katër raunde kualifikuese për të siguruar debutimin në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve. /Kampionet/


