
Vetëm pak vite më parë, Como ishte një klub i vogël i kategorive të ulëta të futbollit italian, me probleme infrastrukturore dhe një histori të dhimbshme falimentimesh.
Sot, skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas po luan në Ligën e Kampionëve dhe pronarët besojnë se klubi mund të arrijë një vlerë prej 1 miliard eurosh. Pas kësaj ngjitjeje qëndron një projekt shumë më i madh se futbolli.
Kur grupi indonezian Djarum mori kontrollin e Comos në vitin 2019, klubi vlente më pak se 1 milion euro dhe ndodhej shumë larg elitës së futbollit evropian.
Como nuk kishte as stadium modern, as qendër të mirëfilltë stërvitore dhe kishte kaluar dy herë në falimentim. Në atë periudhë, në stadium ndiqnin ndeshjet mesatarisht rreth 800 tifozë.
Por pikërisht ky realitet i zymtë u pa si një mundësi. Mirwan Suwarso, një prej njerëzve kryesorë të projektit, fillimisht kishte menduar të realizonte një dokumentar futbolli në Itali.
Gjatë eksplorimit të zonës së Milanos, ai u përball me Comon dhe e pa klubin si historinë perfekte të një projekti që mund të shndërrohej nga “hiçi” në diçka shumë më të madhe.

Dennis Wise, njeriu që vendosi themelet
Paratë nuk ishin problemi. Grupi Djarum, i udhëhequr nga miliarderët Budi dhe Bambang Hartono, kishte kapacitetin financiar për të investuar. Problemi ishte se si duhej ndërtuar klubi.
Për këtë arsye, Suwarso iu drejtua Dennis Wise, ish-futbollistit të Chelseat dhe Anglisë. Wise mori përsipër një detyrë shumë më të madhe sesa ndërtimi i një skuadre.
Ai duhej të krijonte praktikisht një klub të ri: qendër stërvitore, akademi, marrëdhënie me komunitetin, rritje të numrit të tifozëve dhe një strukturë profesionale.
Në atë kohë, Como nuk kishte as fushën e vet të stërvitjes. Wise kujton se klubi kishte vetëm një kontratë vjetore për përdorimin e një fushe dhe se, për shkak të mungesës së parave për transfere, në një moment kishte deri në 14 lojtarë të huazuar. Strategjia ishte e thjeshtë: të ndërtohej gradualisht diçka që mund të rritej.

Pastaj erdhi Cesc Fabregas
Momenti që ndryshoi drejtimin e projektit ishte ardhja e Cesc Fabregasit. Në vitin 2022, ish-ylli i Arsenalit, Barcelonës dhe Chelseat iu bashkua Comos jo vetëm si futbollist, por edhe si aksionar.
Fabregas nuk shkoi atje për paratë. Përkundrazi, ai e kishte shpjeguar zgjedhjen e tij me dëshirën për t’u bërë pjesë e një projekti që e emociononte.
“Nuk më interesonin paratë. Doja vetëm të bashkohesha me një projekt që më emociononte. E shoh një të ardhme afatgjatë për këtë klub”, kishte thënë Fabregas.
Ideja e tij, e Wise dhe e Suwarso ishte e njëjtë: rikthimi i Comos në Serie A.
Në vitin 2024, kjo u realizua. Como u rikthye në elitën e futbollit italian pas më shumë se dy dekadash. Në atë kohë, Fabregas ishte tashmë njeriu që drejtonte skuadrën në praktikë, edhe pse për shkak të licencës së trajnerit figuroi fillimisht si ndihmës i Osian Roberts.

Wise u largua, por Fabregas mbeti
Në verën e vitit 2024, Dennis Wise u largua nga klubi. Dhe pikërisht atëherë u bë edhe më e qartë se sa i rëndësishëm ishte bërë Fabregas për projektin.
Wise e shpjegoi largimin e tij duke thënë se klubi kishte vendosur të ndiqte drejtimin e Cesc Fabregasit.
Nga ai moment, spanjolli nuk ishte thjesht trajner. Ai u shndërrua në një nga figurat qendrore të mënyrës se si Como dëshironte të ndërtonte të ardhmen.
“Ne ndajmë të njëjtin vizion, të njëjtin objektiv, që është të shkojmë sa më lart. Jemi ende një klub i vogël, por me ambicie shumë, shumë të mëdha për të ardhmen”, kishte deklaruar Fabregas.

Nuk donin vetëm të mbijetonin në Serie A
Como nuk u ngjit në Serie A vetëm për të qëndruar aty. Pronarët vendosën të investonin agresivisht për ta bërë skuadrën konkurruese menjëherë.
Sipas të dhënave të Football Benchmark të cituara nga GOAL, gjatë sezonit të promovimit në Serie B, shpenzimet operative të klubit arritën rreth 52 milionë euro, më shumë se pesë herë të ardhurat operative prej rreth 10 milionë eurosh.
Edhe pasi mbërriti në Serie A, Como vazhdoi të shpenzonte shumë. Bilanci neto i transfereve ishte rreth -93.35 milionë euro pas sezonit të parë në elitë dhe pothuajse -108.79 milionë euro sezonin pasues.
Strategjia ishte e qartë: të investosh tani për të krijuar një klub që do të vlejë shumë më tepër nesër.
Dhe deri tani, rezultatet sportive kanë justifikuar këtë qasje. Me Fabregasin në stol, Como arriti një vend të katërt befasues sezonin e kaluar, rezultat që madje i befasoi edhe vetë drejtuesit.

Como nuk po ndërton vetëm një ekip futbolli
Këtu fillon pjesa ndoshta më interesante e historisë. Pronarët nuk po e shohin Comon vetëm si një klub që duhet të fitojë ndeshje. Ata po përpiqen ta shndërrojnë në një markë globale të lidhur me turizmin e Liqenit të Comos.
Qyteti ka vetëm rreth 85 mijë banorë, por çdo vit e vizitojnë miliona turistë. Sipas Suwarso, numri i turistëve është rritur nga rreth 1.6 milionë në 4.8 milionë në pesë vjet.
Për këtë arsye, Como po e sheh ndeshjen e futbollit si pjesë të një eksperience shumë më të madhe.
Suwarsos e ka krahasuar modelin me Disney-n: nëse Disneyland është parku tematik i kompanisë, për Comon stadiumi dhe përvoja e ditës së ndeshjes janë “parku tematik”, ndërsa pjesët e tjera të biznesit lidhen me të.

Nga një dyqan në katër, nga 800 tifozë në një markë globale
Transformimi shihet edhe në mënyrën se si Como po ndërton markën. Disa vite më parë klubi nuk kishte as një dyqan të vetin. Sot ka katër dyqane në qytet dhe 485 pika shitjeje të produkteve të klubit në provincën e Comos.
Edhe tregu ndërkombëtar po zgjerohet. Como kishte shitur bileta në 122 shtete edhe kur luante në Serie B, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e shitjeve online tashmë vjen nga jashtë Italisë.
Këtë sezon, sipas të dhënave të cituara në analizë, rreth 12 për qind e shitjeve kanë ardhur vetëm nga Shtetet e Bashkuara.

Hollywoodi po zbarkon në Como
Një tjetër pjesë e strategjisë është imazhi. Në 18 muajt e fundit, në stadiumin “Sinigaglia” janë parë emra të mëdhenj të Hollywoodit, mes tyre Hugh Grant, Michael Fassbender, Adrien Brody, Keira Knightley, Kate Beckinsale, Jeff Goldblum, Benedict Cumberbatch dhe Hugh Jackman.
Klubi këmbëngul se këto nuk janë paraqitje të organizuara si pjesë e ndonjë fushate marketingu.
Përkundrazi, drejtuesit thonë se shumë prej tyre janë tërhequr vetë nga historia e Comos, qyteti dhe futbolli që po ndërton Fabregas.

Fabregas, “CEO i futbollit”
Në gjithë këtë histori, Fabregas është bërë figura qendrore. Como ka edhe aksionarë të njohur si Thierry Henry, ndërsa Raphael Varane është pjesë e bordit. Por Suwarso e përshkruan Fabregasin si “CEO-n e futbollit” të projektit.
Ideja është që klubi të mos funksionojë vetëm me një trajner dhe një drejtor sportiv. Vendimet merren nga një strukturë më e gjerë, por Fabregas ka pasur rol themelor në krijimin e identitetit të futbollit të Comos.
Që në fillim, pronarët i kërkuan një skuadër që të luante futboll sulmues dhe të ishte argëtuese. Jo vetëm për të fituar, por edhe për të tërhequr lojtarë, tifozë dhe turistë.
Dhe ky identitet tashmë po shihet në fushë.

Nga 1 milion në 1 miliard – a është e mundur?
Vlera prej 1 miliard eurosh mbetet ende një objektiv ambicioz. Sipas Football Benchmark, një vlerësim i tillë do ta vendoste Comon në mesin e katër klubeve më të vlefshme në Serie A, pas Interit, Juventusit dhe Milanit, por mbi Napolin.
Aktualisht, klubi është ende larg kësaj shifre. Të ardhurat në sezonin 2024/25 ishin rreth 50 milionë euro, ndërsa pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve mund t’i sjellë klubit dhjetëra milionë euro shtesë.
Megjithatë, potenciali është real. Vetëm vlera e përbashkët e lojtarëve të Comos është rritur ndjeshëm, nga rreth 288 milionë euro në shtatorin e kaluar në 584.2 milionë euro tani, sipas të dhënave të Football Benchmark.
Como tashmë e ka bërë pjesën më të vështirë: ka kaluar nga një klub i vogël, me probleme financiare dhe infrastrukturore, në një skuadër të Serie A dhe tani në Ligën e Kampionëve.

Por projekti nuk përfundon këtu. Stadiumi po zgjerohet dhe modernizohet, akademia po ndërtohet, marka po shtrihet jashtë Italisë, tregu amerikan po rritet dhe klubi po përpiqet të shfrytëzojë në maksimum fuqinë globale të emrit “Lake Como”.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, objektivi nuk është që Como të jetë një histori e bukur që zgjat vetëm disa vite.
Është që të bëhet një klub i qëndrueshëm i elitës evropiane.
Dhe në qendër të këtij projekti është një ish-mesfushor i Arsenalit, Barcelonës dhe Chelseat, i cili vetëm pak vite më parë zbriti në Como si futbollist dhe aksionar, ndërsa sot po përpiqet ta ndërtojë klubin sipas vizionit të tij.
Nga më pak se 1 milion euro në një projekt që synon 1 miliard. Nga Serie C në Ligën e Kampionëve. Dhe në mes të gjithë kësaj, Cesc Fabregas. /Kampionet/


