BallinaLiga NdërkombëtarePesë arsyet e zemërimit të Cristiano Ronaldos me Jorge Jesus: A mund...

Pesë arsyet e zemërimit të Cristiano Ronaldos me Jorge Jesus: A mund të jetë kjo lamtumira e tij me Portugalinë? – Kampionet

MARCA ka zbardhur minutë pas minute kronologjinë e mosmarrëveshjes mes Cristiano Ronaldos dhe trajnerit Jorge Jesus, e cila ka përshkallëzuar deri në largimin e yllit portugez nga grumbullimi i kombëtares.

Cristiano Ronaldo nuk ka qenë asnjëherë një futbollist i zakonshëm dhe zhvillimet e fundit në grumbullimin e Portugalisë e kanë dëshmuar edhe një herë këtë. Pavarësisht zërave dhe spekulimeve, Jorge Jesus vendosi ta përfshinte kapitenin portugez në listën për këto katër ndeshje.

Megjithatë, situata ndryshoi pas sfidës ndaj Norvegjisë dhe marrëdhënia mes dy figurave kryesore të Portugalisë duket se është tensionuar ndjeshëm.

Por çfarë ndodhi konkretisht? Pse u zemërua Cristiano Ronaldo dhe a mund të jenë këto ndeshjet e fundit të tij me fanellën e Portugalisë?

1/ Marrëveshja fillestare mes Ronaldos dhe Jorge Jesus

Sipas MARCA-s, Jorge Jesus dhe Cristiano Ronaldo kishin rënë dakord që sulmuesi të aktivizohej në ndeshjen e parë ndaj Uellsit dhe në të katërtën, kundër Norvegjisë më 4 tetor.

Në sfidën ndaj Uellsit, Ronaldo e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe luajti 66 minuta. Ai shënoi edhe një gol, i cili më pas u anulua. Deri në këtë pikë, gjithçka po shkonte sipas planit të paracaktuar.

2/ Ndryshimi i planit dhe 30 minutat e pritjes

Situata ndryshoi në mëngjesin e ndeshjes së dytë, atë ndaj Norvegjisë. Jorge Jesus ndryshoi planin fillestar dhe i komunikoi Ronaldos se kishte nevojë për të në atë takim. Trajneri i bëri të ditur se mund ta aktivizonte gjatë pjesës së dytë, për rreth 30 minuta.

Në minutën e 51-të, Norvegjia barazoi në 1-1 përmes Erling Haaland. Ronaldo filloi të ngrohej dhe dukej se po përgatitej për të hyrë në fushë.

Por vetëm pak minuta më vonë, Portugalia shënoi dhe kaloi sërish në epërsi, 1-2. Me rezultatin në favor, situata ndryshoi dhe Jorge Jesus vendosi të mos e aktivizonte Ronaldon, i cili kishte qëndruar duke u ngrohur për rreth gjysmë ore. Sulmuesi portugez u largua nga stadiumi i zemëruar.

3/ Ronaldo nuk stërvitet me grupin

Tensioni nuk përfundoi me ndeshjen. Të martën, Cristiano Ronaldo nuk mori pjesë në stërvitjen e përbashkët të Portugalisë në Danimarkë. Në vend të kësaj, ai shkoi në hotel dhe zhvilloi një seancë individuale në palestër.

Ky veprim shtoi edhe më shumë pikëpyetjet rreth situatës së krijuar mes tij dhe Jorge Jesus.

4/ Konferenca e Jorge Jesus e përkeqëson situatën

Sipas MARCA-s, konferenca për shtyp e Jorge Jesus ishte një tjetër moment që zemëroi Ronaldon.

Trajneri portugez tentoi të shpjegonte vendimin e tij për të mos e aktivizuar kapitenin, duke thënë se bëhej fjalë për “një moment frustrimi që zgjat 10, 15 ose 20 sekonda”. Por këto shpjegime nuk duket se e bindën Ronaldon.

Larg stërvitjes me pjesën tjetër të skuadrës, 41-vjeçari vendosi të largohej nga grumbullimi i kombëtares. Sipas raportimit të mediave spanjolle, Ronaldo do të udhëtojë me avionin e tij privat drejt Madridit, ku pritet të mbërrijë gjatë mbrëmjes.

5/ A ishte kjo ndeshja e fundit e Ronaldos me Portugalinë?

Kjo është pyetja që tashmë po ngrihet në Portugali. Për momentin është e vështirë të thuhet nëse largimi nga grumbullimi shënon edhe fundin e aventurës së Cristiano Ronaldos me kombëtaren, sidomos duke marrë parasysh se zhvillimet kanë ndodhur vetëm së fundmi.

Megjithatë, situata e krijuar me Jorge Jesus ka hapur një pikëpyetje të madhe për të ardhmen e kapitenit portugez.

Ronaldo ka shënuar 146 gola në 234 paraqitje me Portugalinë. Nëse kjo do të ishte vërtet fundi, një prej historive më të gjata dhe më të jashtëzakonshme të futbollit ndërkombëtar mund të kishte marrë fund në rrethana të papritura. /Kampionet/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments