
Kombëtarja e Kosovës e ka siguruar një tjetër top-mesfushor nga Zvicra. Pas Leon Avdullahut, “Dardanët” e bindën edhe mesfushorin Dion Kacuri.
Kampionet me burime mësoi se përzgjedhësi Franco Foda e ka ftuar Kacurin për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve, me Kosovën që do të përballet dy herë me Austrinë dhe nga një herë me Irlandën dhe Izraelin.
Por, kush është Dion Kacuri? Mesfushori i gjatë prej 1.92 metra ka përfaqësuar Zvicrën në grupmoshat U18, U19, U20 si dhe ishte kapiten te U21.
Ai luan në pozitën e qendërmesfushorit, por shpesh përdoret edhe si mesfushor me tipare defansive, si dhe ka luajtur edhe në pozitën e numrit 10.
Kacuri vitet e fundit ka vuajtur me disa lëndime, sidoqoftë nga mediat zvicerane gjithnjë ka qenë tepër i vlerësuar. Faktikisht, deri vonë ai është krahasuar me Granit Xhakën, ku në bazë të mënyrës dhe vizionit të lojës, atë e shihnin si pasuesi adekuat i yllit të Sunderlandit.

18 paraqitje për Zvicrën, por ëndërr Kosovën
Edhe pse është paraqitur plot 18 herë në grupmoshat e reja të Zvicrës, ëndrra e mesfushorit Kacuri gjithnjë ka qenë Kosova.
Faktikisht, ai e tha këtë gjë publikisht vetëm disa javë më parë për “Sky Sport Austria”, ku konfirmoi se “një ftesë nga Kosova do të ishte ëndërr e bërë realitet”.
Vetëm pak javë më vonë, Kampionet me burime merr vesh se përzgjedhësi Franco Foda së bashku me asistentët udhëtoi për në Austri për ta përcjellë ndeshjen Sturm Graz – Austria Lustenau.
Që kur u huazua te Austria Lustenau, Kacuri ka arritur të shënojë një gol në gjashtë paraqitje, si dhe ka pasur vlerësim pozitiv nga “Sofascore”.

Përforcimi i Kosovës me mesfushorët nga Zvicra
Kombëtarja e Kosovës që kur erdhi Franco Foda e ka përforcuar dukshëm pikën që deri vonë ishte më e dobëta, pra mesfushën. Më e bukura se tërë lojtarët erdhën nga Kombëtarja e Zvicrës.
Fillimisht e nisi Leon Avdullahu, këtë qershor e bindën Valmir Matoshin, ndërsa tani Kacuri.
Për fund, kujtojmë Kosova e nis ciklin kualifikues të Ligës B së Ligës të Kombeve si nikoqir i Irlandës (24 shtator), pastaj udhëton për në Austri (27 shtator), më pas në Hungari për t’u përballur me Izraelin (1 tetor) dhe si sfidë e katërt në Prishtinë ndaj austriakëve (4 tetor)./Kampionet/



