
Granit Xhaka e ka një ëndërr të qartë me Sunderlandin në Ligën e Evropës, të arrijë sërish në finale dhe këtë herë ta fitojë trofeun.
Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ka luajtur më parë në dy finale të Ligës së Evropës, me Arsenalin dhe Bayer Leverkusenin, por i ka humbur të dyja. Tani, në aventurën e tij të re me Sunderlandin, ai shpreson të ketë mundësinë për ta provuar edhe një herë.
Xhaka të mërkurën do ta udhëheqë si kapiten Sunderlandin në përballjen ndaj AZ Alkmaarit, e cila zhvillohet nga ora 21:00. Kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë për klubin anglez, pasi Sunderlandi rikthehet në garat evropiane pas 53 vjetësh.

Megjithatë, Xhaka ka bërë të qartë se Ligën Premier mbetet prioriteti kryesor i skuadrës. Sipas tij, pjesëmarrja në Ligën e Evropës është një shpërblim për punën e madhe të bërë dhe një mundësi që duhet shijuar.
“Liga Premier është prioritet, por bonusi në Ligën e Evropës është diçka që po përpiqemi ta marrim dhe është thjesht një sfidë e madhe për ne. Kam qenë dy herë në finale, kam humbur dy herë në finalen e Ligës së Evropës, kështu që për mua është një ëndërr e madhe të arrij një tjetër finale me Sunderlandin”, ka thënë Xhaka në konferencën për media.
Për kapitenin shqiptar, përballja me AZ Alkmaarin do të jetë një moment i veçantë edhe për shkak të atmosferës që pritet në stadium. Ai beson se tifozët e Sunderlandit e meritojnë një natë të tillë pas rikthimit të klubit në Ligën Premier dhe Evropë.
“E dimë që sezonin e kaluar shkruam diçka në historinë tonë dhe mund të fillosh të ndjesh edhe entuziazmin e njerëzve. Mendoj se stadiumi do të jetë në flakë nesër, sepse tifozët e meritojnë, klubi i futbollit e meriton. Dhe si lojtarë, pas punës së madhe të edicionit të kaluar, ne meritojmë të jemi aty ku jemi”, është shprehur ai.
Xhaka theksoi se përvoja nga garat evropiane i ka mësuar se një prej faktorëve më të rëndësishëm për një ekip është energjia dhe mentaliteti në dhomën e zhveshjes. Sipas tij, pikërisht këtë atmosferë e ka ndier që nga dita e parë te Sunderlandi.
“Para së gjithash, ju nevojitet energjia në dhomën e zhveshjes, dhe kjo është ajo që kemi. Hapi i parë që bëra sezonin e kaluar në dhomën e zhveshjes më dha një ndjesi shumë të mirë. Pra, energjia, mentaliteti për lojtarët e rinj dhe për grupin është i mahnitshëm”, ka thënë Xhaka. /Kampionet/


