
Epoka e dytë e Jose Mourinhos në stolin e Real Madridit ka nisur zyrtarisht, me trajnerin portugez që prej 13 korrikut ka filluar përgatitjet për sezonin e ri.
Skuadra ende nuk është e plotë, pasi një pjesë e lojtarëve që morën pjesë në Kupën e Botës 2026 po kthehen gradualisht nga pushimet.
Mesfushori turk Arda Güler iu bashkua ekipit të hënën, ndërsa Federico Valverde pritet të rikthehet në fund të kësaj jave.
Mourinho ka vendosur: Mastantuono dhe Asencio drejt huazimit
Që në ditët e para të punës, Mourinho ka zhvilluar biseda individuale me futbollistët për t’i informuar mbi planet e tij për sezonin e ri.
Sipas mediave spanjolle, dy talentet e mëdha të klubit, Franco Mastantuono dhe Raúl Asencio, janë kandidatët kryesorë për t’u larguar në formë huazimi.
Real Madridi nuk dëshiron të heqë dorë përfundimisht nga asnjëri prej tyre, por beson se minuta të rregullta loje në një klub tjetër do të ndihmonin më shumë zhvillimin e tyre sesa një rol i kufizuar në “Santiago Bernabéu”.
Situata e Asencios është bërë edhe më e vështirë pas ardhjes së mbrojtësit francez Ibrahima Konaté, i cili ka rritur konkurrencën në prapavijë. Edhe pse mbrojtësi i ri dëshironte të luftonte për një vend në formacion, një huazim tashmë konsiderohet opsioni më realist.
Një situatë e ngjashme është edhe për Mastantuonon, i cili vlerësohet si një nga talentet më premtues të futbollit argjentinas, por që pritet të fitojë përvojë diku tjetër.

Gonzalo García bind Mourinhon, ylli i ri do të vijë vetëm me një largim
Ndryshe nga dy talentet e lartpërmendura, sulmuesi Gonzalo García do të mbetet pjesë e ekipit të parë. 22-vjeçari kishte marrë oferta të shumta dhe konsiderohej si një nga lojtarët që mund të largohej gjatë kësaj vere, por Mourinho ka bllokuar çdo mundësi transferimi.
Trajneri portugez dëshiron ta vlerësojë personalisht sulmuesin, duke besuar se profili i tij si një “numër 9” klasik mund të jetë i vlefshëm për skuadrën.
Sa u përket afrimeve të reja, Real Madridi për momentin nuk planifikon të bëjë lëvizje të tjera, pasi gjatë kësaj vere ka transferuar Marc Cucurellan, Denzel Dumfriesin, Ibrahima Konaten dhe Bernardo Silvën, ndërsa janë larguar Dani Carvajal, David Alaba, Dani Ceballos dhe Fran García.
Megjithatë, emra si Michael Olise dhe Rodri vazhdojnë të lidhen me një kalim në “Santiago Bernabéu”.
Sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit e Real Madridit kanë vendosur një kusht të qartë, një transferim i madh do të realizohet vetëm nëse fillimisht largohet një lojtar nga skuadra, duke krijuar hapësirë si në listën e ekipit, ashtu edhe në buxhetin e klubit. /Kampionet/


