
Leandro Paredes ishte një nga personazhet më të përfolur të finales së Kupës së Botës 2026, por jo për paraqitjen e tij në fushë.
Mesfushori argjentinas u aktivizua në pjesën e dytë, pasi në mënyrë befasuese e kishte humbur vendin në formacionin titullar të Lionel Scalonit. Vetëm gjashtë minuta pasi hyri në lojë, ai u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa në më shumë se një rast dukej me fat që nuk mori kartonin e dytë.
Situata u tensionua edhe më shumë pas përfundimit të ndeshjes. Paredes u përfshi në një nga incidentet më të shëmtuara të turneut, duke u përplasur fizikisht me Eric Garcian dhe Gavin gjatë një konfrontimi të ashpër mes futbollistëve.
Pas rikthimit në Argjentinë, mesfushori i Boca Juniors publikoi një mesazh emocional në Instagram, drejtuar tifozëve të kombëtares.
“Sot po shkruaj me shumë dhimbje në zemër, sepse nuk arritëm t’i dhuronim vendit tonë gëzimin që e meritonte”.

“Zemra ime është plot krenari, sepse dhamë gjithçka që kishim dhe edhe një herë e ngritëm flamurin tonë sa më lart që ishte e mundur”.
Paredes nuk harroi të falënderonte edhe bashkëlojtarët e tij për përkushtimin gjatë gjithë Kupës së Botës.
“Faleminderit secilit që ishte pjesë e kësaj kombëtareje, këtij grupi lojtarësh që dhanë gjithçka për ta përfaqësuar këtë fanellë deri në sekondën e fundit të çdo ndeshjeje”.
Në fund të mesazhit të tij, ai bëri një deklaratë të fortë, duke e cilësuar këtë grup si “kombëtaren më të mirë në historinë e Argjentinës”./Kampionet/


