
Feronikeli 74 dhe Llapi kanë ndarë pikët në kuadër të xhiros së nëntë të Albi Mall Superligës së Kosovës, pasi përballja mes tyre përfundoi me rezultat 0-0.
Ndeshja pati momente interesante, me Llapin që shënoi në pjesën e parë, por goli i Aris Sorensenit në minutën e dhjetë u anulua për shkak të prekjes me dorë të topit nga mbrojtësi Gentrit Jaha në aksionin paraprak.
Vendasit u përballën me një vështirësi të madhe në minutën e 36-të, kur Fatmir Rexhaj u ndëshkua drejtpërdrejt me karton të kuq, duke e lënë Feronikelin 74 me një futbollist më pak në fushë.
Pavarësisht epërsisë numerike për pjesën e mbetur të ndeshjes, Llapi nuk arriti ta shfrytëzonte këtë avantazh për të shënuar golin e fitores.
Në anën tjetër, Feronikeli 74 arriti ta ruante portën të paprekur deri në fund, duke siguruar një pikë nga kjo përballje.
Kështu, të dyja skuadrat u desh të kënaqeshin me nga një pikë në këtë duel të xhiros së nëntë të elitës së futbollit kosovar./Kampionet/


