
Erling Haaland ka vendosur një tjetër rekord në derbin e Manchesterit, duke u bërë golashënuesi më i mirë i këtij dueli në epokën e Ligës Premier.
Sulmuesi i Manchester Cityt shënoi në derbin e fundit ndaj Manchester United, duke e çuar në nëntë numrin e golave të tij në përballjet ndaj “Djajve të Kuq”.

Me këtë shifër, norvegjezi ka kaluar dy legjenda të futbollit anglez, Sergio Agueron dhe Wayne Rooneyn, të cilët kanë nga tetë gola në derbin e Manchesterit në Ligën Premier.
Haaland pranoi se ishte në dijeni për rekordin dhe se kjo arritje kishte mbetur në mendjen e tij.
“E dija për këtë rekord më herët, e kisha lexuar dhe kishte mbetur në kokën time”, ka thënë Haaland për faqen zyrtare të Manchester Cityt.
“Jam jashtëzakonisht krenar për këtë. Është diçka që më bën vërtet, vërtet të lumtur, sepse të gjithë e dimë se sa special është ky derbi”.
“Që nga momenti kur erdha në Manchester, ata më kanë dhënë pak, ndërsa edhe unë u kam dhënë pak atyre”, shtoi norvegjezi, duke iu referuar rivalitetit mes dy klubeve.

Megjithatë, Haaland theksoi se rivaliteti duhet të shoqërohet me respekt dhe kënaqësi për lojën.
“Kur vjen puna te kjo, bëhet fjalë për pak ngacmime mes palëve, për ta shijuar dashurinë për futbollin dhe për të luftuar për ekipin tënd”.
“Besoj se ky derbi, që nga debutimi im në ‘Etihad’ kundër Manchester United, ka qenë gjithmonë special për mua”, përfundoi Haaland. /Kampionet/


