
Pavarësisht raportimeve të mëhershme, FIFA ka konfirmuar se Leandro Paredes nuk është ndëshkuar me karton të kuq pas skenave të shëmtuara që ndodhën të dielën (19 korrik) në përfundim të finales së Kupës së Botës.
Pas përfundimit të finales së Botërorit, në fushë shpërthyen përplasje dhe sjellje të dhunshme mes lojtarëve.
Mesfushori argjentinas u duk se ishte i përfshirë në incident, ndërsa fillimisht u raportua gabimisht në sistemin informues të komentatorëve të FIFA-s se ai ishte përjashtuar nga gjyqtari Slavko Vincic për shkak se kishte kapur për fyti mbrojtësin spanjoll Eric Garcia.
Kartoni i kuq u fshi pak më vonë dhe tani FIFA ka konfirmuar për BBC Sport se në atë moment nuk është marrë asnjë masë disiplinore ndaj lojtarit.
Megjithatë, për një kohë të gjatë besohej se Paredes kishte marrë karton të kuq direkt pas përfundimit të finales.
Pamjet televizive dukeshin se tregonin argjentinasin si një nga protagonistët kryesorë të përplasjes, pasi ai dyshohet se u përfshi në incidentin me Eric Garcian dhe gjithashtu raportohet se e rrëzoi në tokë mesfushorin spanjoll Gavi.
“Nuk ka pasur anulim të një kartoni të kuq. Sepse nuk ka pasur karton të kuq. Ai u shfaq gabimisht në sistemin informues të komentatorëve të FIFA-s dhe më pas u fshi”, ka sqaruar FIFA.

Megjithatë, organi qeverisës i futbollit botëror po vazhdon hetimet për atë që ndodhi pas fishkëllimës së fundit në stadiumin MetLife.
Sipas raportimeve, përveç Paredesit, në incident dyshohet se janë përfshirë edhe Nahuel Molina, Thiago Almada dhe ndihmëstrajneri i Argjentinës, Roberto Ayala./Kampionet/



