
Bisedimet për mundësinë që Pep Guardiola të marrë drejtimin e kombëtares së Italisë janë rikthyer fuqishëm në skenë.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, ka pranuar se ka pasur kontakte me trajnerin spanjoll, edhe pse nuk ka dhënë garanci se negociatat do të përfundojnë me sukses.
Madje, Gravina ka lënë të kuptohet se në rastin e Guardiolës mund të bëhen edhe “përjashtime” financiare për të përballuar pagën e tij.
Megjithatë, sipas gazetës prestigjioze italiane La Gazzetta dello Sport, pengesa kryesore është kërkesa e trajnerit katalanas.

Raportohet se Guardiola ka kërkuar 20 milionë euro në vit për të marrë drejtimin e “Azzurrëve”, një shifër dyfish më e lartë se ajo që Federata Italiane ishte e gatshme të ofronte fillimisht.
Sipas mediumit italian, kjo kërkesë mund të jetë bërë edhe me qëllimin për ta bërë marrëveshjen të pamundur, duke e detyruar Italinë të tërhiqet nga gara.
Guardiola më herët ka lënë të kuptohet se pas një dekade në drejtimin e Manchester Cityt dëshiron të marrë një pushim përpara se të nisë një tjetër projekt madhor.
Megjithatë, drejtuesit italianë vazhdojnë ta shohin atë si kandidatin ideal. Paolo Maldini dhe Leonardo, të angazhuar në projektin sportiv të kombëtares italiane, e konsiderojnë Guardiolën zgjedhjen e preferuar, por jo me çdo çmim.
Në rast se marrëveshja nuk arrihet, lista e alternativave udhëhiqet nga Andrea Pirlo, ndërsa pas tij renditen Roberto Mancini dhe Antonio Conte.
Italia po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj të futbollit, pasi ka dështuar të kualifikohet në tri edicionet e fundit të Kupës së Botës: 2018, 2022 dhe 2026./Kampionet/



