
Gjithçka është gati në “Fadil Vokrri” për ndeshjen mes Kosovës dhe Austrisë, e cila zhvillohet sonte në kuadër të Ligës së Kombeve.
Pak para fillimit të sfidës, pamjet nga zhveshtorja e Kosovës tregojnë se gjithçka është përgatitur për Dardanët.
Fanellat e kaltërta janë vendosur në zhveshtore dhe futbollistët e përzgjedhësit Franco Foda do të zbresin në fushë me këtë ngjyrë në përballjen ndaj Austrisë.
Atmosfera pritet të jetë e veçantë edhe në tribuna, me stadiumin “Fadil Vokrri” që pritet të jetë i mbushur për një tjetër ndeshje të rëndësishme të Kosovës në shtëpi.
Ndërkohë, Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar edhe një video nga stadiumi pak para ndeshjes, përmes së cilës shihen pamjet e terrenit dhe përgatitjet e fundit në “Fadil Vokrri”.
Në pamjet e publikuara nga FFK-ja shihet se fusha është përgatitur për sfidën e sontme dhe tashmë gjithçka është gati që dy përfaqësueset të zbresin në fushë.
Kosova vjen në këtë përballje pas barazimit pa gola ndaj Izraelit në Debrecen, ndërsa Austria e kishte mposhtur Kosovën 3-1 në takimin e zhvilluar në Vjenë. Dardanët kërkojnë kësaj radhe një tjetër paraqitje në shtëpi dhe, mbi të gjitha, një rezultat pozitiv përballë skuadrës së Ralf Rangnickut.
Ndeshja Kosovë–Austri zhvillohet sonte nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Kampionet/


