
Drejtori i Shakhtar Donetskut, Darijo Srna, ka zbuluar se Mykhailo Mudryk dëshironte të transferohej te Arsenali në vitin 2023, por në fund ishte klubi ukrainas që vendosi për shitjen e tij te Chelsea.
Mudryk ishte lidhur fuqishëm me Arsenalin në atë periudhë dhe kishte biseduar drejtpërdrejt me trajnerin Mikel Arteta. Megjithatë, Chelsea arriti marrëveshje me Shakhtarin për transferimin e ukrainasit, në një operacion që mund të arrinte deri në 88 milionë funte.
Srna ka treguar se Mudryk e kishte preferuar Arsenalin, por vendimi përfundimtar i takonte klubit.
“Misha foli me Artetan. Unë fola me trajnerin e Chelseat. Dhe ndoshta, në atë moment, atij i pëlqente më shumë Arteta”.
“Por është klubi ai që vendos nëse do ta shesë një lojtar apo jo. Ne i thamë atij se klubi kishte gjetur gjuhën e përbashkët me Chelsean.”
Transferimi në “Stamford Bridge” nuk solli ndikimin e pritur, pasi Mudryk shënoi vetëm 10 gola në 73 paraqitje në të gjitha garat, përpara se të largohej në huazim këtë verë.

25-vjeçari iu bashkua Tottenhamit në formë huazimi për një sezon, me opsion blerjeje prej 75 milionë funtesh.
Mudryk kishte qenë jashtë futbollit konkurrues pas një rezultati pozitiv në testin antidoping, ndërsa kishte insistuar se nuk kishte marrë kurrë me vetëdije apo qëllimisht ndonjë substancë të ndaluar.
Më vonë, ai arriti një marrëveshje me Agjencinë Botërore Antidoping dhe Federatën Angleze, duke pranuar shkeljen e rregullave antidoping dhe një pezullim të barabartë me periudhën që tashmë e kishte vuajtur.
Mudryk bëri paraqitjen e tij të parë konkurruese që nga viti 2024 në ndeshjen e Tottenhamit ndaj Nottingham Forestit, por më pas u detyrua të mungojë për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës./Kampionet/


