
FC Drenica ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën në UEFA Futsal Champions League, duke shënuar fitore ndaj Sakarya Karasu 1933 me rezultat 6-0.
Kampioni i Kosovës në futsall fitoi të dyja pjesët me rezultat identik 3-0, duke treguar një paraqitje të sigurt dhe efikase në ndeshjen e parë të raundit preliminar të garave të UEFA-s.
Në këtë fitore shkëlqeu Luis Quintero, i cili realizoi tre gola, ndërsa Jetmir Gashi e Sebastian Sanchez shtuan nga një, ndërsa një gol u shënua si autogol nga Burak Uğurlu.
Me këtë rezultat, Drenica merr tri pikët e para në grupin e saj.
Drenica është kampione e Kosovës në futsall për sezonin e kaluar dhe po e përfaqëson vendin në UEFA Futsal Champions League.
Në grupin ku garon skuadra kosovare janë edhe Murata nga San Marino dhe Újpest nga Hungaria, ndaj Drenicën e presin edhe dy përballje të rëndësishme për të siguruar kalimin tutje në garat evropiane.
Drenica e ka nisur fuqishëm misionin evropian dhe tashmë synon hapin e radhës në Champions League. /Kampionet/


