
Ballkani ka zyrtarizuar transferimin e portierit shqiptar Gentian Selmani, i cili i bashkohet skuadrës nga Suhareka pas një sezoni të suksesshëm te Teuta e Durrësit.
Selmani, i lindur më 9 mars 1998 në Krujë, është formuar në futbollin shqiptar dhe gjatë karrierës së tij ka krijuar përvojë edhe jashtë vendit.
Portieri shqiptar ka luajtur në Turqi, ku ka qenë pjesë e Menemen FK dhe Boluspor, duke regjistruar paraqitje në kategorinë e dytë turke, si dhe në Kupën e Turqisë. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.
Në sezonin 2025/26, Selmani ishte pjesë e Teutës, ku ishte një nga portierët kryesorë të skuadrës dhe regjistroi 40 paraqitje në të gjitha garat.
Me ardhjen e tij, Ballkani fiton një portier me përvojë të konsiderueshme në futbollin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.
Selmani tashmë do të jetë pjesë e projektit të Ballkanit, me synimin për të kontribuar mes shtyllave të portës në garat vendore dhe evropiane. /Kampionet/


