
Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e fundit në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës ndaj Austrisë në Vjenë.
Në seancën e fundit para përballjes, Albian Hajdari dhe Edon Zhegrova janë stërvitur të diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit.
Të dy futbollistët kanë zhvilluar vrapime të lehta, për shkak të shqetësimeve që kanë marrë nga ndeshja e kaluar.
Pjesa tjetër e futbollistëve ka zhvilluar stërvitjen me intensitet të plotë dhe përkushtim maksimal, ndërsa fokusi kryesor ka qenë te përgatitjet për sfidën ndaj Austrisë.
Përzgjedhësi Franco Foda dhe stafi i tij janë përqendruar veçanërisht në aspektin taktik, duke punuar me futbollistët në detajet e planit të lojës dhe mënyrën se si “Dardanët” synojnë ta përballojnë ndeshjen e nesërme.
Kosova vjen në këtë përballje pas fitores 1:0 ndaj Irlandës, ndërsa Austria e ka nisur këtë fazë me fitore ndaj Izraelit.
Të dyja skuadrat kanë nga tri pikë dhe ndeshja në Vjenë pritet të ketë rëndësi të veçantë për vazhdimin e garës./Kampionet/


