
Klubi i drejtuar nga Xabi Alonso rikthehet pas mesfushorit spanjoll, pasi tentoi ta transferonte edhe në vitin 2025.
Fermin Lopez, 23-vjeçari i Barcelonës, është rikthyer në listën e dëshirave të Chelseat, që po përgatit një tjetër ofensivë për ta transferuar mesfushorin spanjoll.
Sipas raportimeve të publikuara këtë javë, klubi londinez është i gatshëm të ofrojë më shumë se 120 milionë euro, ndërsa nëse është e nevojshme, Chelsea mund ta çojë ofertën deri në 180 milionë euro.

Klubi anglez tentoi ta transferonte atë edhe në vitin 2025, kur kishte përgatitur një ofertë prej rreth 40 deri në 50 milionë euro.
Barcelona e refuzoi propozimin, ndërsa vetë lojtari vendosi të vazhdonte qëndrimin në “Camp Nou”.
Që nga ajo kohë, situata ka ndryshuar ndjeshëm. Barcelona ia ka rinovuar kontratën Lopez deri më 30 qershor 2031, ndërsa klauzola e lirimit të tij është vendosur në 500 milionë euro.
Me Xabi Alonson në krye të Chelseat, klubi londinez është rikthyer fuqishëm në garë. Sipas raportimeve, trajneri spanjoll ka marrë mbështetjen financiare të klubit për të tentuar transferimin dhe Chelsea është i gatshëm të shkojë përtej 170 milionë eurove për mesfushorin.

Për momentin, thuhet se Chelsea i ka paraqitur Barcelonës një ofertë fillestare prej rreth 120 milionë eurosh, ndërsa mund ta rrisë ndjeshëm shumën nëse propozimi i parë refuzohet.
Barcelona, ndërkohë, ka arsye të forta për të mos e pranuar ofertën. Fermin ka nisur në mënyrë fantastike sezonin, duke shënuar katër gola dhe duke dhënë dy asistime në pesë javët e para të La Ligës.
Ai ishte protagonist edhe në fitoren 0-5 ndaj Valencias, ku shënoi një gol dhe regjistroi dy asistime.
Paraqitjet e tij kanë qenë në rritje edhe gjatë sezonit të kaluar. Në edicionin 2025/26, Fermin regjistroi 13 gola dhe 16 asistime, duke u konsoliduar si një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës katalanase.

Hansi Flick gjithashtu ka vazhduar t’i besojë mesfushorit në fillim të këtij sezoni, pavarësisht konkurrencës së madhe në repartin e mesfushës.
Chelsea, megjithatë, nuk do ta ketë të lehtë ta bindë Barcelonën. Fermin ka kontratë deri në vitin 2031, ndërsa klauzola e tij e lirimit është 500 milionë euro.
Mbetet të shihet nëse Chelsea do ta formalizojë ofertën e madhe gjatë sezonit apo do të presë deri në afatin kalimtar të vitit 2027.
Pas tentativës së dështuar në vitin 2025, klubi anglez është rikthyer sërish në garë dhe këtë herë është i gatshëm të paguajë një shumë marramendëse për Fermin Lopez. /Kampionet/


