
Dy klubet kosovar, Malisheva dhe Ballkani do të luajnë sonte (e enjte) ndeshjet vendimtare të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, me synimin për të siguruar një vend në fazën e ardhshme të garës së tretë të klubeve evropiane.
Malisheva udhëton në Skoci me një epërsi të rëndësishme prej 2-0 nga ndeshja e parë e zhvilluar në Prishtinë. Skuadra kosovare do të përballet me Hibernianin në stadiumin “Easter Road” në Edinburg, me takimin që nis nga ora 21:00.
Me avantazhin e krijuar në sfidën e parë, Malisheva është shumë pranë një kualifikimi historik, por për ta konfirmuar atë duhet të përballojë presionin e udhëtimit te klubi i njohur.
Ndërkohë, Ballkani do të kërkojë përmbysjen ndaj Bohemians. Kampionët e dikurshëm të Kosovës u mposhtën 2-1 në Irlandë, por goli i shënuar në udhëtim e mban plotësisht të hapur garën për kualifikim.
Përballja e kthimit zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00.
Me mbështetjen e tifozëve dhe eksperiencën e fituar në skenën evropiane, Ballkani beson se mund ta përmbysë disavantazhin, ndërsa Malisheva synon ta kurorëzojë një tjetër mbrëmje të madhe për futbollin kosovar.
Dy ndeshjet e sotme mund të sjellin një tjetër kapitull të rëndësishëm për klubet e Kosovës në Evropë. /Kampionet/


