
George Kamurasi, portier i skuadrës londineze të ligave të ulëta, SE Dons, ka refuzuar të bëhet mbret i mbretërisë afrikane të Tooro-s, një nga mbretëritë tradicionale që vazhdojnë të ekzistojnë në Ugandë.
Kamurasi ishte një nga kandidatët për të pasuar në fron Mbretin Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV, i cili ndërroi jetë në moshën 34-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas trajtimit për një formë agresive të kancerit. I ndjeri ishte kushëri i portierit.
Megjithatë, Kamurasi nuk pranoi ta merrte përsipër këtë rol. Në vend të tij, fronin e mori Edward Rukidi Kijanangoma, redaktor dhe prezantues i lajmeve në televizionin shtetëror të Ugandës.

Vendimi i Kamurasit është veçanërisht interesant duke pasur parasysh se ai vazhdon të jetë aktiv në futboll në Angli. Portieri ishte në portë për SE Dons në ndeshjen kualifikuese të FA Cup kundër Erith Town, të cilën skuadra e tij e fitoi 2-0.
Tashmë, pas refuzimit të fronit, Kamurasi pritet të vazhdojë jetën e tij në Angli dhe karrierën si futbollist, ndërsa mbretëria e Tooro-s ka zgjedhur pasardhësin e saj.

Kush ishte Mbreti Rukidi IV?
Mbreti Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV ndërroi jetë rreth 20 ditë më parë në SHBA, në moshën 34-vjeçare, pas një beteje me një formë agresive të kancerit.
Ai u varros të shtunën e kaluar, në një ceremoni që u zhvillua në ditën kur, në rrethana të tjera, do të festonte përvjetorin e kurorëzimit të tij.

Rukidi IV u ngjit në fron në moshën vetëm trevjeçare, ndërsa kurorëzimin zyrtar e zhvilloi kur mbushi 18 vjeç. Në momentin e vdekjes së tij, ai konsiderohej monarku më i ri në botë.
Tooro është një nga katër mbretëritë tradicionale që vazhdojnë të ekzistojnë në Ugandë, edhe pse ato nuk kanë pushtet politik në kuptimin e një shteti sovran. /Kampionet/


