
Albian Hajdari ka reaguar pas largimit nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës, pasi nuk arriti të rikuperohej në kohë për ndeshjet e radhës.
Mbrojtësi i Hoffenheim ishte në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda vetëm për ndeshjen e parë ndaj Irlandës, të cilën Kosova e fitoi me rezultat 1-0. Hajdari u aktivizua në atë sfidë, por më pas pësoi lëndim dhe mungoi në ndeshjen e radhës ndaj Austrisë, të cilën Dardanët e humbën 3-1.
Gjatë ditëve të fundit, stafi mjekësor dhe Hajdari kanë bërë përpjekje që ai të rikuperohej dhe të ishte i gatshëm për dy ndeshjet e ardhshme, ndaj Izraelit dhe Austrisë. Megjithatë, mbrojtësi nuk ia doli të rikuperohej në kohë dhe është larguar nga grumbullimi, duke u kthyer në Gjermani për të vazhduar procesin e rikuperimit.

Pas këtij vendimi, Hajdari ka reaguar përmes një mesazhi emocional, duke shprehur keqardhjen që nuk do të mund ta ndihmojë Kosovën në fushë.
“Sot më dhemb jo vetëm lëndimi, por edhe mendimi se nuk do të jem në fushë me Kosovën në ndeshjet e ardhshme. Për fat të keq, duhet të kthehem në Gjermani për t’u rikuperuar. Lëndimi fizik është një dhimbje më vete, por të mungosh kur e di se ekipi po lufton për Kosovën… kjo dhemb edhe më shumë”, ka shkruar Hajdari.

Ai ka theksuar se do të dëshironte të ishte me ekipin në ndeshjet e ardhshme, duke vënë në pah rëndësinë që ka për të fanella e Kosovës.
“Do të doja të isha aty, bashkë me ju, duke luftuar për çdo top, për çdo minutë dhe për këtë fanellë që për mua do të thotë gjithçka. Megjithatë, jam dhe do të jem gjithmonë krenar për këtë ekip dhe për gjithçka që kemi arritur deri tani. Kemi treguar karakter, kemi luftuar së bashku dhe kemi bërë që Kosova të jetë aty ku meriton të jetë”, ka shtuar ai.
Në fund, Hajdari u ka dërguar një mesazh bashkëlojtarëve dhe tifozëve, duke bërë të ditur se do ta mbështesë Kosovën nga larg.
“Unë do të jem me ju nga larg. Kosova mbi të gjitha. Shihemi së shpejti”, ka përfunduar mbrojtësi kosovar. /Kampionet/


