
Ky është momenti qesharak kur një pilot spanjoll duket se mashtroi një avion plot me pasagjerë argjentinas, duke i bërë të besonin për pak çaste se Argjentina kishte fituar Kupën e Botës.
Ferran Torres shënoi golin e fitores në kohën shtesë të finales, duke i dhënë Spanjës triumfin 1-0 ndaj Argjentinës dhe duke lënë të dëshpëruar Lionel Messin me shokë.
Pamjet, të filmuara menjëherë pasi Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë, janë bërë virale në rrjetet sociale.
Në video shihen pasagjerë të veshur me fanellat e Argjentinës duke brohoritur dhe festuar pasi dëgjuan një njoftim të rremë nga piloti përmes altoparlantit të avionit gjatë një fluturimi nate.
Avioni ra në heshtje kur piloti tha: “Ishte një ndeshje shumë e luftuar deri në fund, përfshirë edhe kohën shtesë. Të dyja skuadrat dhanë gjithçka, por fatkeqësisht vetëm njëra mund ta fitojë finalen e Kupës së Botës”.
Më pas ai shtoi: “Dëshirojmë t’i urojmë miqtë tanë argjentinas.”
Kjo deklaratë shkaktoi festë të madhe mes pasagjerëve, të cilët menduan se Argjentina ishte shpallur kampione.
Por, në pjesën e dytë të videos, avioni u mbulua nga heshtja kur piloti zbuloi të vërtetën. “Spanja ka fituar.”
Shumë media argjentinase nuk e pritën mirë këtë shaka, duke e cilësuar si një “shaka të sëmurë”.
Gazeta La Voz del Interior shkroi: “Gjatë një fluturimi, ndërsa finalja e Kupës së Botës po arrinte kulmin, një kapiten spanjoll njoftoi një rezultat të rremë që shkaktoi festë mes pasagjerëve, përpara se të zbulonte se kampione ishte Spanja”.
Një tjetër medium argjentinas e quajti veprimin e pilotit “të tmerrshëm”.
“Ai jo vetëm që bëri një veprim të papranueshëm me një sens humori të dyshimtë, por edhe e ekspozoi veten ndaj pasojave serioze në bord pasi e vërteta doli në pah”.
“Pasagjerët mund të kishin tentuar ta përballnin ose edhe të hynin në kabinën e pilotit. Ishte një gabim i madh”./Kampionet/


