
Ylli i Barcelonës, Raphinha, iu nënshtrua testeve mjekësore këtë të premte në mëngjes për të përcaktuar shkallën dhe natyrën e dhimbjeve që po ndien në kofshën e djathtë.
Sulmuesi anësor pësoi një edemë muskulore në kofshën e djathtë gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Brazilit. Ai luajti të plotë ndeshjen e parë miqësore, ndërsa në takimin e dytë u paraqit vetëm në 45 minutat e para.
Sipas gazetës Sport, rezultatet e testeve përjashtuan mundësinë e një dëmtimi më serioz muskulor. Ky është një lajm i mirë për trajnerin Hansi Flick.
Ndërkohë, Mundo Deportivo shkoi edhe më tej, duke konfirmuar se në Barcelonë kanë marrë frymë të lehtësuar pas rezultateve të ekzaminimeve dhe se Raphinha do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së shtunës në La Liga ndaj Getafes.
Braziliani iu nënshtrua kontrolleve mjekësore në qendrën stërvitore Joan Gamper, ku rezultatet ishin qetësuese.
Barcelona kishte besim se dëmtimi nuk do të përkeqësohej, bazuar në informacionet që kishte marrë nga vetë lojtari. Megjithatë, drejtuesit e klubit katalunas dëshironin që gjendja e tij të konfirmohej edhe përmes ekzaminimeve mjekësore.
Pavarësisht lajmeve pozitive, stafi i Flickut do të vazhdojë ta menaxhojë me kujdes gjendjen fizike të Raphinhas gjatë javës së ardhshme, kur Barcelona do t’i rikthehet stërvitjeve të hënën./Kampionet/



