
Mbrojtësi i Hungarisë dhe Liverpoolit, Milos Kerkez, ka reaguar pas përfshirjes së tij dhe babait të tij në një databazë që liston persona të cilësuar si “armiq të Ukrainës”.
Kerkez u përfshi në një situatë të tensionuar me ukrainasin Viktor Tsygankov gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve mes dy përfaqësueseve. Gjatë takimit, mbrojtësi hungarez e kapi Tsygankovin për jake, duke shkaktuar reagime të shumta.
Situata u përshkallëzua edhe më shumë pas një postimi të babait të Kerkezit, Sebastijan, i cili raportohet se publikoi në Instagram një fotografi nga momenti i incidentit, të shoqëruar me këngën “Russian Paradise” të reperit AK-47, në një referencë të dukshme ndaj luftës Rusi-Ukrainë.
Pas këtij postimi, emrat e Milos Kerkezit dhe babait të tij u shfaqën në Myrotvorets, një databazë që publikon emrat, fotografitë dhe të dhëna personale të njerëzve që i cilëson si “armiq të Ukrainës”.

Myrotvorets nuk drejtohet dhe nuk është e lidhur zyrtarisht me qeverinë ukrainase.
Në të njëjtën listë është përfshirë edhe deputeti hungarez Balazs Hidveghi, i cili e cilësoi si turp faktin që Ministria e Jashtme e Hungarisë nuk kishte reaguar në mbrojtje të Kerkezit dhe babait të tij.
Ndërkohë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Hungarisë, Anita Orban, reagoi në rrjetet sociale duke dënuar kritikat dhe sulmet ndaj Kerkezit dhe Hidveghit.
Tashmë, vetë Kerkez ka folur për situatën dhe reagimet e shumta që pasuan incidentin me Tsygankovin.
“Personalisht, nuk kam mbështetur dhe nuk mbështes asnjë agresion në jetën time. Nuk jam person që e konsideron të pranueshme çdo gjë që u shkakton dëm të tjerëve”, deklaroi Kerkez për mediumin hungarez Telex.
“Megjithatë, në një ndeshje futbolli gjithmonë ka tension dhe në ndeshjen kundër Ukrainës, gjithçka që bëra ishte të mbroja kapitenin tonë, mikun tim. Do ta kisha bërë të njëjtën gjë edhe nëse përballë nesh do të ishte një shtet tjetër”, shtoi mbrojtësi i Liverpoolit./Kampionet/


