
Mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, duket se e ka bërë të qartë të ardhmen e tij, pasi sipas raportimeve nga Diario AS, spanjolli është i vendosur të transferohet te Real Madridi, pavarësisht interesimit të Barcelonës.
Klubi katalanas ka lëvizur në prapaskenë dhe raportohet se ka kontaktuar përfaqësuesit e kampionit të botës, duke kërkuar të mësojë mundësinë e një transferimi.
Megjithatë, Barcelona ende nuk ka paraqitur një ofertë zyrtare dhe situata financiare e klubit vazhdon të jetë një pengesë e madhe për një operacion të kësaj madhësie.
Në anën tjetër, Real Madridi shihet si destinacioni i preferuar i Rodrit. Sipas raportimeve, drejtuesit e “Los Blancos” tashmë kanë arritur një marrëveshje me lojtarin për kushtet personale, duke e vendosur klubin nga kryeqyteti spanjoll në pozicionin më të favorshëm për ta mbyllur transferimin.
Rodri, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Pep Guardiolës te Manchester City, konsiderohet si një prej mesfushorëve më të kompletuar në botë. Spanjolli ka qenë një pikë kyçe në sukseset e klubit anglez, përfshirë triumfin në Ligën e Kampionëve dhe titujt e shumtë në Ligën Premier.
Megjithatë, largimi i tij nuk do të jetë i lehtë. Manchester City nuk dëshiron të humbasë një nga liderët e skuadrës dhe ka vendosur një çmim të lartë për të. Kampionët anglezë kërkojnë rreth 75 milionë euro për të dhënë dritën jeshile për transferimin e 30-vjeçarit.
Real Madridi, ndërkohë, synon ta mbyllë marrëveshjen me një shifër më të ulët, rreth 60 milionë euro, dhe tashmë pritet të nisë negociatat me Cityn për të gjetur një kompromis./Kampionet/



