
Një politikan gjerman ka bërë një kërkesë të pazakontë ndaj Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), duke kërkuar që presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, t’i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet e klubeve në Gjermani.
Bëhet fjalë për Sascha Binder, deputet i Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD), i cili përmes një letre drejtuar DFB-së ka kërkuar një masë simbolike kundër drejtuesit të futbollit botëror, si kundërshtim ndaj planeve të reja të FIFA-s.
Plani i FIFA-s që shkaktoi reagime të forta
Në qendër të polemikave është propozimi i FIFA-s për transferimin e të drejtave komerciale të Kupës së Botës, Kupës së Botës për Klube dhe garave të tjera te një kompani e re, ku investitorët privatë mund të blejnë aksione.
Ky projekt ka shkaktuar reagime të mëdha në botën e futbollit, me UEFA-n dhe disa federata kombëtare që kanë shprehur kundërshtimin e tyre të fuqishëm.
Pikërisht për këtë arsye, debati ka kaluar edhe në skenën politike, me Binder që kërkon që futbolli gjerman të dërgojë një mesazh të qartë kundër këtij modeli.
Letra e Binderit drejtuar DFB-së
“Propozimi i Infantinos për t’ua shitur investitorëve të drejtat komerciale të Kupës së Botës është i fundit në një seri gabimesh dhe vendimesh të dëmshme. Për të dërguar një mesazh simbolik, ju kërkoj të ndaloni Gianni Infantinon nga të gjitha stadiumet e klubeve gjermane”, thuhet në letrën e tij.
Sipas politikanit gjerman, një vendim i tillë do të tregonte se klubet dhe DFB-ja nuk pranojnë që futbolli të udhëhiqet vetëm nga interesat financiare.
“Kjo do ta bënte të qartë se klubet dhe DFB nuk do të lejojnë më që futbolli të shkatërrohet nga njerëz që nuk janë fare të interesuar për sportin, por që drejtohen vetëm nga interesa të tjera”, ka shkruar Binder.

Ende pa përgjigje nga DFB, Infantino mbron projektin
Deri më tani, Federata Gjermane e Futbollit nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare në lidhje me kërkesën e deputetit gjerman.
Ndërkohë, Gianni Infantino ka reaguar ndaj kritikave për projektin, duke insistuar se bëhet fjalë vetëm për një propozim dhe jo për një vendim të imponuar.
“FIFA Forward Enterprise është një propozim, një ofertë. Është pjesë e një procesi demokratik. Para së gjithash, është një mundësi dhe jo një detyrim”, deklaroi presidenti i FIFA-s.
Infantino theksoi se ideja synon të rrisë investimet në futboll dhe të ndihmojë zhvillimin e këtij sporti në mbarë botën, por propozimi vazhdon të përballet me kundërshtime të forta nga UEFA dhe federata të shumta kombëtare. /Kampionet/


