BallinaKombëtarja"Një tjetër humbje do ta rëndonte situatën" - presion i madh mbi...

“Një tjetër humbje do ta rëndonte situatën” – presion i madh mbi Izraelin para ndeshjes me Kosovën – Kampionet

 

Izraeli ndodhet nën presion të madh para përballjes me Kosovën, pasi një tjetër humbje mund t’ia vështirësojë në mënyrë drastike objektivin në Ligën e Kombeve. Kështu shkruan mediumi izraelit “Israel Hayom”, i cili në një analizë të publikuar të mërkurën thekson rëndësinë e sfidës që zhvillohet të enjten në orën 20:45.

Sipas “Israel Hayom”, kanë kaluar vetëm tri ditë nga humbja 3-0 ndaj Irlandës, por zhgënjimi nga ajo ndeshje vazhdon të ndihet në Izrael. Pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para, skuadra e drejtuar nga Ran Ben Shimon rrezikon ta gjejë veten në një situatë shumë të vështirë nëse nuk arrin të marrë pikë ndaj Kosovës.

Mediumi izraelit shkruan se një humbje e tretë radhazi do ta bënte jashtëzakonisht të vështirë vazhdimin e garës për objektivat e vendosura në këtë kampanjë. Edhe pse matematikisht do të mbetej një mundësi, “Israel Hayom” vlerëson se Izraelit do t’i nevojitej një kombinim shumë i favorshëm i rezultateve në ndeshjet e tjera për ta rikthyer veten në garë.

Kombëtarja e Izraelit

Në mbështetje të këtij argumenti, mediumi izraelit sjell edhe një të dhënë nga historia e Ligës së Kombeve. Sipas mediumit, që nga krijimi i këtij kompeticioni në vitin 2018, asnjë skuadër që ka humbur dy ndeshjet e para nuk ka arritur më pas ta përfundojë fazën e grupeve në vendin e parë.

Artikulli përmend edhe një shembull nga edicioni 2022/23, kur Zvicra humbi tri ndeshjet e para ndaj Republikës Çeke, Portugalisë dhe Spanjës.

Pavarësisht se zviceranët reaguan fuqishëm në pjesën e dytë të kampanjës dhe i fituan tri ndeshjet e mbetura, duke grumbulluar nëntë pikë, kjo nuk mjaftoi për të kaluar në vendin e parë dhe ata e mbyllën grupin në pozitën e tretë.

Për këtë arsye, “Israel Hayom” e sheh përballjen me Kosovën si më shumë se një ndeshje të radhës në kalendar. Mediumi shkruan se sfida në Debrecen për Izraelin është një pikë prove, jo vetëm për situatën në tabelë, por edhe për mënyrën se si skuadra do të reagojë pas humbjes së thellë ndaj Irlandës dhe kritikave që kanë pasuar atë rezultat.

Kombëtarja e Kosovës

Në Izrael tashmë e shohin fitoren ndaj Kosovës si një nevojë për të mbajtur gjallë objektivat e tyre në këtë kampanjë. Pas kësaj ndeshjeje, Izraeli do të ketë edhe një përballje tjetër me Irlandën të dielën, duke e bërë edhe më të rëndësishme mënyrën se si do të dalë nga sfida e së enjtes. /Kampionet/

 

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments