BallinaSuperliga e KosovësNga paraqitjet brilante, te partneriteti me Dellovën dhe objektivat e Kosovës –...

Nga paraqitjet brilante, te partneriteti me Dellovën dhe objektivat e Kosovës – Ilir Krasniqi rrëfehet për Telegrafin – Kampionet

Mbrojtësi i Kosovës, Ilir Krasniqi, ishte ndër futbollistët më të dalluar të Dardanëve në katër ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, duke luajtur të gjitha 360 minutat ndaj Austrisë, Irlandës dhe Izraelit. Në intervistën për Kampionetn, ai flet për paraqitjet e tij, statistikat e UEFA-s, bashkëpunimin me Lumbardh Dellovën dhe objektivat për dy ndeshjet e fundit të këtij cikli.

Ilir Krasniqi ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm të Kosovës në katër ndeshjet e para të këtij cikli të Ligës së Kombeve. Mbrojtësi i Dardanëve ka luajtur çdo minutë në dy përballjet me Austrinë, si dhe në ndeshjet ndaj Irlandës dhe Izraelit, duke u shndërruar në një nga pikat kryesore të repartit mbrojtës të Kosovës.

Paraqitjet e tij janë shoqëruar edhe me statistika të rëndësishme, pasi Krasniqi dhe Lumbardh Dellova janë ndër lojtarët me më së shumti topa të rikuperuar në Ligën e Kombeve, ndërsa mbrojtësi kosovar renditet edhe në top-pesëshen e kësaj gare për ndërhyrjet rrëshqitëse.

Në një intervistë për Kampionetn, Krasniqi ka folur për këtë cikël, paraqitjet personale, bashkëpunimin me Dellovën dhe objektivin e Kosovës për dy ndeshjet e nëntorit.

Duke folur për katër ndeshjet e para dhe mënyrën se si e vlerëson këtë cikël, Krasniqi tha se Dardanët janë përballur me sfida të vështira, por në përgjithësi kanë bërë mirë.

“Po, padyshim që kanë qenë katër ndeshje mjaft të vështira, me një intensitet shumë të mirë. Mendoj se kemi bërë mirë në këto katër ndeshje, duke parë edhe rrjedhën e tyre dhe kundërshtarët me të cilët jemi përballur”, ka thënë fillimisht Krasniqi për Kampionetn.

Sa i përket paraqitjeve të tij dhe faktit se ka luajtur çdo minutë në këto katër ndeshje, mbrojtësi kosovar u shpreh i lumtur me kontributin e dhënë për ekipin.

“Po, këto ndeshje i kam shijuar çdo minutë të të qenurit në fushë. Mendoj se kjo ka ndikuar pozitivisht edhe në paraqitjet e mia dhe jam mjaft i lumtur që kam mundur të jap ndihmën dhe kontributin tim për ekipin, në mënyrë që të kemi paraqitje sa më pozitive”.

Krasniqi foli edhe për statistikat e UEFA-s dhe bashkëpunimin me Lumbardh Dellovën, duke theksuar se ndeshjet e zhvilluara së bashku kanë ndikuar në rritjen e mirëkuptimit mes tyre.

“Po, është e vërtetë. Janë momente mjaft domethënëse dhe jam shumë i lumtur për këtë. Besoj se ka ndikuar edhe fakti që kemi pasur disa ndeshje të zhvilluara së bashku. Dellova është një lojtar me shumë cilësi dhe kjo e bën më të lehtë bashkëpunimin tonë në fushë”, shtoi 26-vjeçari.

Ndërkohë, duke folur për numrin e madh të ndërhyrjeve rrëshqitëse dhe stilin e tij të mbrojtjes, Krasniqi e lidhi këtë edhe me leximin e lojës dhe mënyrën se si ka luajtur Kosova.

“Po, besoj se është pak edhe stil personal, sidomos sa i përket leximit të lojës. Gjithashtu, mënyra se si kemi luajtur me Kosovën e ka bërë këtë edhe më të dukshme në fushë”.

Në lidhje me dy ndeshjet e fundit të nëntorit, ndaj Izraelit dhe Irlandës, Krasniqi pranoi se Dardanët i presin sfida të vështira, por beson se forca e grupit dhe mbështetja e tifozëve mund të bëjnë diferencën.

“Na presin ndeshje mjaft të vështira. Duke parë që kemi luajtur më herët me këto ekipe, e kemi parë forcën e tyre dhe e dimë se çfarë na pret. Besoj se, si gjithmonë, fryma e grupit që kemi është shumë e mirë dhe duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin në fushë dhe të japim maksimumin. Kështu jemi shumë të fortë si ekip. Fakti që do të luajmë në shtëpi do të jetë një forcë dhe mbështetje e madhe nga tifozët tanë”.

Në fund, Krasniqi foli për objektivin e Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit, duke qenë i qartë se synimi i Dardanëve është të marrin maksimumin e pikëve.

“Po, duke parë që i kemi këto pesë pikë, deri në nëntor do të jemi të përgatitur për të luftuar në maksimum dhe për të synuar pikët e plota. Sigurisht, si pjesë e këtij grupi, besoj shumë te ky ekip i bashkuar dhe te potenciali që kemi. Do të luftojmë të gjithë së bashku për dy fitore, për maksimumin e mundshëm dhe për ta arritur objektivin tonë”, përfundoi mbrojtësi i Kosovës.

Ndryshe, ndeshja e raundit të pestë e Kosovës ndaj Izraelit është paraparë të luhet me 14 nëntor në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, ndërsa e fundit në grup ndaj Irlandës më 17 nëntor në Aviva Stadium të Dublinit. /Kampionet/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments