
Lionel Messi ka përzgjedhur 10 futbollistë të rinj, meshkuj dhe femra, të cilët i sheh si talente me potencial për t’u shndërruar në yje të mëdhenj të futbollit botëror.
Në një video të realizuar në bashkëpunim me Adidasin, legjenda argjentinase përmendi emra nga klube dhe vende të ndryshme, mes tyre edhe dy talente angleze: Max Dowman të Arsenalit dhe Chloe Sarwie të Chelseat.
Dowman, vetëm 16-vjeçar, konsiderohet një nga talentet më premtuese të futbollit anglez. Ndërkohë, Sarwie, 17 vjeçe, po spikat në repartin defensiv te skuadra e femrave të Chelseat dhe është pjesë e përfaqësueses angleze në grupmoshat e reja.

Në listën e Messit përfshihen edhe Gilberto Mora, talenti 17-vjeçar meksikan i Tijuanas, si dhe Tomas Aranda, mesfushori 19-vjeçar i Boca Juniorsit.
Një tjetër emër interesant është Can Uzun, sulmuesi turk 20-vjeçar i Eintracht Frankfurtit, i cili e ka nisur sezonin me katër gola dhe tri asistime në gjashtë ndeshje.

Përzgjedhja e Messit përfshin gjithashtu Kees Smitin e AZ Alkmaarit, Jesus Rodriguezin e Comos, Zavier Gozon e Crystal Palace, si dhe dy futbolliste të reja: Lotta Wrede të Hamburger SV dhe Giovanna Waksman të Lyonit.
Lista vjen në një periudhë kur futbolli botëror po përgatitet për kalimin drejt një gjenerate të re yjesh, ndërsa emrat e përzgjedhur nga Messi përfaqësojnë talente që tashmë kanë nisur të tërheqin vëmendjen me paraqitjet e tyre në klube dhe përfaqësuese. /Kampionet/



