BallinaLiga Ndërkombëtare“Barcelona është më e madhe se ai - kush mendon se është”...

“Barcelona është më e madhe se ai – kush mendon se është” – njeriu që nënshkroi me Messin e kritikon për çasjen – Kampionet

Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Gaspart, ka kritikuar ashpër Lionel Messin, duke kërkuar që ylli argjentinas të kthehet në “Camp Nou” për t’u përshëndetur me tifozët katalunas, pavarësisht se kush është në krye të klubit.

Duke folur në podkastin “Solo Para Culés”, Gaspart dha një mesazh të drejtpërdrejtë për tetë herë fituesin e Topit të Artë, duke theksuar se Barcelona është më e madhe se çdo individ.

“Ai duhet të jetë i kujdesshëm. Barça është më e madhe se ai”, deklaroi Gaspart, duke shtuar se fjalët e tij vijnë nga dashuria dhe respekti që ka për Messin.

Ish-presidenti kujtoi se ishte në krye të Barcelonës kur argjentinasi iu bashkua klubit në moshën 13-vjeçare. Për këtë arsye, ai theksoi se kritikat e tij nuk e vënë në dyshim rëndësinë e Messit në historinë e klubit, por lidhen me mënyrën se si duhet të realizohet një lamtumirë e mundshme në “Camp Nou”.

Një nga çështjet kryesore të deklaratave të Gaspart ishte marrëdhënia e Messit me presidentin aktual të Barcelonës, Joan Laporta.

Sipas tij, prania e Laportës nuk duhet të jetë pengesë që sulmuesi argjentinas të rikthehet në stadium dhe të marrë nderimet që meriton nga tifozët.

“Kushdo që të jetë presidenti, le të vijë dhe t’i thotë lamtumirë Barcelonës”, u shpreh Gaspart.

Ai shkoi edhe më tej, duke deklaruar se nuk do të merrte pjesë në një ceremoni lamtumire nëse Messi do të refuzonte të paraqitej për shkak të pranisë së Laportës dhe do të pranonte të kthehej vetëm pasi ky i fundit të largohej nga posti i presidentit.

“Nëse Leo Messi vjen për të thënë lamtumirë dhe nuk vjen sepse Laporta është president, por paraqitet vetëm ditën kur Laporta nuk është më aty, unë nuk do të shkoja në atë homazh”, deklaroi ai.

Gaspart i përmbylli komentet e tij me një pyetje provokuese drejtuar legjendës argjentinase: “Kush mendon se është ai?”, duke rihapur debatin rreth një lamtumire zyrtare të Messit para tifozëve të Barcelonës. /Kampionet/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments