
Katër xhirot e para të Ligës së Kombeve 2026/27 kanë sjellë edhe angazhimet e para të gjyqtarëve kosovarë në këtë garë.
Deri në këtë fazë, UEFA ka përdorur pesë gjyqtarë nga Kosova, ndërsa të gjithë kanë qenë pjesë e të njëjtit ekip gjyqtarësh në një ndeshje.
Por për herë të parë, një ekip i plotë gjyqtarësh nga Kosova drejtoi një ndeshje të Ligës së Kombeve. Bëhet fjalë për Genc Nuzën, i cili ishte gjyqtar kryesor në përballjen mes Gjibraltarit dhe Andorrës, të zhvilluar më 27 shtator dhe të përfunduar 0-0.

Në këtë ndeshje, Nuzës iu bashkuan si asistentë Granit Hyseni dhe Arbnor Bullatovci, ndërsa Rrezart Hasanaj ishte gjyqtar i katërt dhe Erdall Zasella AVAR. Ndërsa në VAR ishte francezi Benoît Millot, si pjesë e ekipit.
Pra, në katër xhirot e para, një ndeshje është drejtuar nga një ekip gjyqtarësh nga Kosova, ndërsa në total janë pesë gjyqtarë kosovarë që UEFA i ka përfshirë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Kosova në vendin e 36-të në UEFA
Sipas listës së publikuar, Kosova renditet e 36-ta, me pesë gjyqtarë të përdorur në Ligën e Kombeve, aq sa kishte edhe Republika Çeke.
Në këtë statistikë UEFA llogarit gjyqtarët kryesorë, asistentët, gjyqtarët e katërt dhe zyrtarët e VAR/AVAR, ndaj numri nuk i referohet vetëm gjyqtarëve kryesorë. Rregullorja e UEFA-s përcakton se Komiteti i Gjyqtarëve cakton ekipin e gjyqtarëve për secilën ndeshje.
Në rajon, Kroacia ka 20 gjyqtarë të përdorur, Serbia 18, ndërsa Shqipëria 11. Bosnja dhe Hercegovina ka 10, ndërsa Kosova është me pesë.
Interesant është edhe fakti se Anglia, një prej vendeve më të mëdha të futbollit evropian, është me 24 gjyqtarë të përdorur, pra më pak se Spanja, Gjermania dhe Italia.

Spanja në krye, Gjermania dhe Italia pas saj
Në krye të kësaj liste është Spanja me 48 gjyqtarë, e ndjekur nga Gjermania me 46 dhe Italia me 43.
Pas tyre vijnë Holanda me 35, Franca me 29 dhe Belgjika me 26, ndërsa Anglia renditet më poshtë me 24 gjyqtarë të përdorur.
Lista tregon në një mënyrë edhe shpërndarjen e gjyqtarëve të UEFA-s në katër xhirot e para të Ligës së Kombeve, ku Kosova deri tani ka pasur një ekip të plotë gjyqtarësh në një ndeshje. /Kampionet/


