
Milot Rashica ka folur pas barazimit 0-0 të Kosovës ndaj Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve, duke pranuar se “Dardanët” kishin synuar fitoren, por theksoi se duhet të merret parasysh mënyra se si u zhvillua ndeshja.
Sulmuesi i Kosovës tha se pritshmëritë ishin të mëdha për të marrë tri pikët, por skuadra kishte në përbërje disa lojtarë të rinj dhe futbollistë që nuk po luajnë rregullisht në klubet e tyre.
“Normalisht që ka qenë një ndeshje që është dashur ta fitojmë, por duke e pasur parasysh se si shkoi ndeshja, kemi lojtarë të rinj dhe lojtarë që nuk po luajnë në klubet e tyre. Normalisht, pritshmëritë ishin të mëdha, por duke e parë se edhe kundërshtari kishte raste, duhet ta marrim këtë pikë dhe të ecim tutje”, deklaroi Rashica.
Ai theksoi se çdo ndeshje ka rëndësinë e saj, sidomos duke marrë parasysh situatën në grup dhe rezultatin e sfidës tjetër mes Irlandës dhe Austrisë.
“Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Duke e marrë parasysh edhe rezultatin e ndeshjes Irlandë–Austri, do të kishte qenë mirë t’i merrnim tri pikë”, shtoi reprezentuesi kosovar.
Rashica foli edhe për lojtarët e rinj që po marrin mundësi, duke thënë se të gjithë futbollistët e grumbulluar janë të gatshëm të japin maksimumin dhe se përzgjedhësi Franco Foda i vlerëson ata gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve.
“Kemi lojtarë të rinj dhe të gjithë ata që janë këtu janë të mirë dhe duan të luajnë. Trajneri i sheh në stërvitje dhe në ndeshje dhe, sipas mundësive dhe ideve të tij, ua jep rastin. Për disa lojtarë ishte ndeshja e parë, debutim, ndërsa për disa pas disa muajsh. Është dashur ta përmbyllim më mirë, por edhe kundërshtari kishte raste. Arritëm të mos pësojmë gol dhe shpresoj që me Austrinë të jemi më mirë”, tha ai.
Rashica pas fitores ndaj Irlandës: Synojmë tri pikët edhe ndaj Austrisë telegrafi.com
Në fund, Rashica foli edhe për rolin e tij në ekip, duke theksuar se është gjithmonë i gatshëm të japë maksimumin dhe të ndihmojë edhe futbollistët e rinj, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
“Si çdo herë, unë jap maksimumin. Sa herë që trajneri më sheh dhe më arsyeton, mundohem të jem gati. Mundohem t’i ndihmoj edhe lojtarët e rinj, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës”, përfundoi Rashica. /Kampionet/


