
Jamie Carragher ka vënë në pikëpyetje ndikimin e Jose Mourinhos te Real Madridi, duke theksuar se skuadra spanjolle nuk po bind me paraqitjet e saj dhe po mbijeton falë golave të vonshëm dhe përmbysjeve.
Real Madridi arriti të fitojë 4-3 ndaj Romës në Ligën e Kampionëve, por paraqitja e skuadrës së Mourinhos nuk e bindi ish-futbollistin e Liverpoolit, tashmë analist i CBS Sports.
Carragher vlerësoi se madrilenët po hasin vështirësi për të gjetur ekuilibrin në lojë, ndërsa trajneri portugez nuk po arrin të zbatojë plotësisht filozofinë e tij taktike në një klub me kaq shumë yje ofensivë.

“Është shumë e vështirë për ta, sepse kanë shumë lojtarë të mëdhenj në sulm. Kur shkon në një klub të atij niveli, duhet t’i aktivizosh ata. Nuk mund të largosh një sulmues për të vendosur një mesfushor shtesë”, deklaroi Carragher.
Ai shtoi se Real Madridi është një klub ku edhe trajnerët me identitet të qartë taktik e kanë të vështirë të punojnë sipas filozofisë së tyre.
“Mourinho është një trajner që i kushton shumë rëndësi organizimit dhe strukturës së skuadrës, diçka që e kemi parë gjatë gjithë karrierës së tij. Por edhe ai nuk mund të jetë plotësisht vetvetja te Real Madridi”, theksoi anglezi.
Sipas Carragher, skuadra madrilene nuk po shfaq bindje në lojë, pavarësisht rezultateve që po arrin të marrë.

“Ata nuk duken aspak bindës. Megjithatë, po bëjnë mjaftueshëm për të mos krijuar përshtypjen se gjithçka po shkon keq. Po qëndrojnë ende në lojë, duke shpëtuar me gola në minutat e fundit dhe përmbysje”, u shpreh ai.
Carragher beson gjithashtu se El Clasico ndaj Barcelonës mund të jetë vendimtar për sezonin e Real Madridit, duke paralajmëruar se një tjetër rezultat negativ mund t’ua zbehë ndjeshëm shpresat për titullin në La Liga.
“Ekziston një diferencë e konsiderueshme pikësh me Barcelonën. Ata luajnë kundër njëri-tjetrit këtë fundjavë dhe, nëse gjërat shkojnë keq, siç mund të pritet, gara për titull mund të marrë fund për ta që në këtë fazë”, përfundoi Carragher.
Ai shtoi se Mourinho duhet të përpiqet ta mbajë skuadrën në garë sa më gjatë dhe të synojë të fitojë të paktën një trofe, pasi Real Madridi po hyn në sezonin e tretë radhazi pa fituar asnjë trofe. /Kampionet/


