
Manchester City po përballet me një prej çështjeve më të mëdha financiare në historinë e Ligës Premier, por pavarësisht vendimit që e shpalli fajtor për 114 nga 115 shkeljet e akuzuara, brenda klubit vazhdojnë të besojnë se gjithçka do të përfundojë në favorin e tyre.
Ndërsa klubet rivale kanë nisur të kërkojnë një dënim të paprecedentë për kampionët anglezë, Manchester City ka vendosur ta çojë betejën deri në fund. Klubi ka apeluar vendimin, duke akuzuar panelin se është ndikuar nga “teoritë konspirative të Ligës Premier”.
Në mes të kësaj situate, Gianluigi Donnarumma dhe futbollistët e tjerë të Cityt kanë marrë garanci se drejtësia sportive do të vendosë në favor të klubit.
Agjenti i portierit italian, Enzo Raiola, ka treguar se situata nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket të ardhmes së klientit të tij.

“A do të ndryshojë diçka kaosi te Manchester City? Jo, asgjë nuk do të ndryshojë për ne apo për Donnarummën”, deklaroi Raiola për The Sun.
Ai shtoi se klubi ka komunikuar me Donnarummën dhe se lojtari është i qetë për situatën.
“Lajmi shfaqet herë pas here. Klubi ka folur me Gigjin dhe të gjithë janë të qetë. Tani kemi ndeshje të rëndësishme kundër Liverpoolit dhe Paris Saint-Germainit, dhe më pas drejtësia sportive do të marrë rrjedhën e saj”, u shpreh ai.
Raiola zbuloi gjithashtu se Donnarumma ka marrë garanci të drejtpërdrejta nga Manchester City për këtë çështje.
“Por Donnarumma ka marrë garanci nga Manchester City”, shtoi agjenti.
Portieri italian dhe pjesa tjetër e futbollistëve të Cityt që kanë qenë me kombëtaret do t’i bashkohen sot, të enjten, skuadrës në stërvitje, ndërsa përgatitjet do të fokusohen te përballja e së dielës ndaj Liverpoolit në Ligën Premier./Kampionet/



