
Portugalia regjistroi një fitore të thellë 5-0 ndaj Uzbekistanit në ndeshjen e dytë të Grupit K të Kupës së Botës 2026, ndërsa protagonisti kryesor ishte Cristiano Ronaldo, i cili realizoi dy gola dhe vendosi një rekord historik.
Me këto dy realizime, 41-vjeçari u bë futbollisti i parë në histori që shënon në gjashtë Kupa të Botës të ndryshme.
Ai gjithashtu arriti kuotën e 10 golave në Botëror, duke kaluar legjendën Eusébio dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë i Portugalisë në historinë e këtij kompeticioni.

Këpucë speciale për Botërorin e gjashtë
Për këtë Kupë Bote, Ronaldo po luan me një version special të këpucëve Nike Mercurial Superfly, të dizajnuara për të shënuar pjesëmarrjen e tij të gjashtë në turneun më prestigjioz të futbollit.
Modeli me ngjyrë ari është krijuar posaçërisht për yllin portugez dhe përfaqëson një homazh për karrierën e tij të jashtëzakonshme në skenën botërore.

Emrat e fëmijëve në këpucët e tij
Detaji që tërhoqi më shumë vëmendje ishte personalizimi i këpucëve. Ronaldo ka vendosur mbi to emrat e pesë fëmijëve të tij: Cristian Junior, Mateo, Eva Maria, Alana Martina dhe Bella.
Një gjest simbolik nga kapiteni portugez, i cili edhe në momentet më të mëdha të karrierës së tij vazhdon të mbajë pranë familjen dhe njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij. /Kampionet/



