
Sulmuesi shqiptar Dailon Ramadani ka hedhur një hap të ri në karrierën e tij, duke nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin kroat NK Karlovac.
20-vjeçari, i lindur në Gjermani, synon të gjejë stabilitet dhe më shumë hapësira për të treguar vlerat e tij, ndërsa klubi kroat ka si objektiv ngjitjen në Ligën e Parë.
Ramadani iu bashkua akademisë së Grasshopper Club Zurich në vitin 2021, pasi familja e tij u zhvendos në Zvicër. Aty ai zhvilloi hapat e parë në futbollin profesionist, përpara se të transferohej në Kroaci, ku veshi fanellën e NK Hrvace në Ligën e Dytë.
Paraqitjet e tij të mira bënë që për një periudhë të provohej edhe te Dinamo Zagrebi, duke fituar përvojë në një nga klubet më të mëdha të futbollit kroat.

Tashmë, me kontratën e re te NK Karlovac, Ramadani shpreson të ketë vazhdimësi dhe të ndihmojë skuadrën në realizimin e objektivit për promovim.
“Ky kalim te NK Karlovac është hapi i duhur për të gjetur stabilitet dhe për t’u dëshmuar plotësisht si profesionist. Klubi ka synime të qarta për t’u ngjitur në Ligën e Parë, ndërsa unë jam këtu për të dhënë kontributin tim. E di që minutat në fushë dhe puna e përditshme me ekipin janë e vetmja rrugë për të ecur përpara”, ka deklaruar Ramadani.
Për sulmuesin 20-vjeçar, kjo lëvizje përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të vazhduar zhvillimin e tij dhe për të synuar në të ardhmen një nivel edhe më të lartë në futbollin evropian, me ëndrrën për të tërhequr vëmendjen edhe të kombëtares shqiptare./Kampionet/


