
Afati kalimtar i verës solli një valë të madhe lëvizjesh në tregun evropian të futbollit. Klube nga pesë ligat kryesore u treguan jashtëzakonisht aktive, duke bërë investime të mëdha për të përforcuar skuadrat.
Por, si gjithmonë, jo çdo transferim rezulton sukses — disa dështojnë, ndërsa disa shndërrohen në goditje të plota.
Sot sjellim pesë transferimet që kanë rezultuar ndër më të mirat e verës, duke kombinuar vizionin e drejtuesve me performancën e menjëhershme në fushë.
1/ Luis Díaz – nga Liverpool te Bayern Munich (70 milionë euro)
Kur Bayern Munich vendosi të shpenzojë 70 milionë euro për Luis Díaz, shumë e panë këtë si rrezik të madh financiar. Por kolumbiani ka provuar se çdo cent ka qenë i merituar. Me shpejtësinë dhe depërtimet e tij nga krahu i majtë, ai ka bërë diferencën në çdo kompeticion.
Deri tani ka shënuar 11 gola në 16 ndeshje, përfshirë gola në Bundesligë, Ligën e Kampionëve, Kupë dhe Superkupë. Díaz është bërë shpejt një nga liderët e rinj të Bayernit dhe simbol i ambicies për të fituar çdo trofe.
“Qëllimi im është të fitoj gjithçka që mundemi, dhe do të punojmë çdo ditë për këtë,” tha ai pas transferimit në Bavari.

2/ Yan Diomande – nga Leganés te RB Leipzig (20 milionë euro)
Vetëm 18 vjeç dhe me më pak se dhjetë ndeshje profesionale para verës, Yan Diomande ishte një bast i madh për Leipzigun. Por basti ka rezultuar fitimtar.
I ardhur nga Bregu i Fildishtë, anësori që është formuar në SHBA ka mahnitur me shpejtësinë dhe driblimet e tij.
Në dhjetë paraqitje ka shënuar tre gola dhe dhënë tre asiste, duke fituar besimin e trajnerit Ole Werner. Ai është një shembull i qartë i filozofisë së Leipzigut për të investuar te të rinjtë me potencial të jashtëzakonshëm.

3/ Granit Xhaka – nga Bayer Leverkusen te Sunderland (15 milionë euro)
Në moshën 33-vjeçare, Granit Xhaka u kthye në një figurë kyçe për Sunderlandin, skuadrën që u rikthye në Ligën Premier pas shumë vitesh. Me përvojën e tij, mesfushori shqiptar ka sjellë stabilitet dhe lidership në një ekip plot energji të re.
Trajneri Regis Le Bris e ka quajtur Xhakën “standardin e disiplinës dhe profesionalizmit”, ndërsa statistikat e tij e konfirmojnë këtë: është ndër më të mirët e skuadrës në çdo aspekt, dhe së fundmi ka shënuar edhe golin e parë sezonal kundër Evertonit.

4/ Marcus Rashford – nga Manchester United te Barcelona (huazim me mundësi blerjeje)
Pas një periudhe të vështirë në Manchester United, Marcus Rashford gjeti ringjalljen te Barcelona. Fillimisht u përfol se pagat e tij do ta bënin marrëveshjen të pamundur, por pas negociatave të gjata, palët gjetën një zgjidhje.
Rezultati? Rashford është bërë një element kyç në sulmin katalanas, me 6 gola dhe 7 asiste në 15 ndeshje, duke rigjetur besimin dhe formën e dikurshme. Barça tashmë po shqyrton blerjen e plotë të kartonit për rreth 30 milionë euro në fund të sezonit.

5/ Luka Modrić – nga Real Madrid te Milan (pa kompensim)
Kur Luka Modrić u largua nga Real Madridi në moshën 40-vjeçare, shumë menduan se ishte fundi i epokës së tij. Por kroati i jashtëzakonshëm zgjodhi të mos tërhiqet — dhe firmosi me Milanin.
Pasi drejtori sportiv Igli Tare udhëtoi personalisht në Kroaci për ta bindur, Modrić pranoi sfidën. Me përvojën, vizionin dhe qetësinë e tij, ai ka transformuar mesfushën e Milanit, që tashmë po lufton për kreun e Serie A.
“Milani nuk mund të kënaqet me mediokritet. Duhet të synojë gjithmonë majat,” deklaroi Modrić në prezantim.

Sot, tifozët kuqezi janë të bindur se ardhja e tij ka qenë një nga lëvizjet më të mençura të verës. /Kampionet/


