
Lamine Yamal është sërish në qendër të polemikave pas përfundimit të El Clasicos, ku Barcelona u mposht nga Real Madridi me rezultatin 2-1.
Në minutat pas ndeshjes, 18-vjeçari i Barcelonës u përfshi në një debat të ashpër me disa futbollistë të Real Madridit, përfshirë Vinicius Jr dhe Dani Carvajal. Konflikti shpërtheu pas disa komenteve që Yamal kishte bërë para ndeshjes, ku kishte akuzuar rivalët madrilenë për “mashtrime”.
Menjëherë pas ndeshjes, në rrjetet sociale qarkulloi një video ku dukej se Yamal u kishte thënë lojtarëve të Real Madridit “shihemi në tunel” – fjali që u interpretua si një ftesë për përleshje jashtë fushës.
Pamjet u bënë virale dhe ndezën një valë reagimesh, me tifozët e të dyja skuadrave që debatonin për qëndrimin e të riut të Barcelonës.

Versioni i ri i ngjarjes
Megjithatë, sipas radios spanjolle Cadena SER, Yamal nuk ka thënë “shihemi në tunel”, por “shihemi në ndeshjen e kthimit”.
Në këtë mënyrë, ai thuhet se ka dashur të dërgojë një mesazh sportiv – duke nënkuptuar se Barcelona do të kërkojë hakmarrje në El Clásicon e radhës – dhe jo të kërcënojë rivalët jashtë fushës.

Tifozët nuk janë bindur
Pavarësisht këtij versioni, tifozët e Real Madridit kanë shpërndarë sërish videon e incidentit, ku sipas tyre dëgjohet qartë që Yamal përdor fjalën “tunel”. Për këtë arsye, shumë besojnë se mesfushori i ri po përpiqet të zbusë polemikat dhe të shmangë ndonjë ndëshkim nga federata.
Në çdo rast, episodi ka shtuar tensionin mes dy klubeve dhe ka vendosur Yamalin sërish në qendër të vëmendjes. Në moshën vetëm 18-vjeçare, ai jo vetëm që është një nga talentet më të mëdhenj të futbollit spanjoll, por edhe një figurë që di të ndezë diskutime pas çdo El Clásico. /Kampionet/


