
Në të dhënat e fundit, Kombëtarja e Kosovës i janë rritur shanset për kualifikim direkt në Kampionatin Evropian 2028, si dhe me gjendjen aktuale, Kroacia dhe Uellsi shihen si kundërshtarët më të mundshëm për play-off në promovim për Ligën A të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” arkëtuan pesë pikë në katër ndeshjet e para të Ligës B së Ligës të Kombeve, ndërsa do t’i zhvillojnë edhe dy përballje në mesin e muajin nëntor, me objektivin e qartë promovimin në një ligë më lartë, por prioritet është të zënë pozitën e dytë në këtë grup.
Kosova do ta presë Izraelin në shtëpi më 14 nëntor, ku fitorja është e domosdoshme, pastaj do ta zhvillojë sfidën direkt me Irlandën në Dublin.
Në rast që “Dardanët” e mbyllin si vend i dytë, atëherë kundërshtarët e mundshëm për Ligën e Kombeve (gjithnjë me renditjen aktuale) janë Uellsi dhe Kroacia. Rregullat e UEFA-s s’e lejojnë Kosovën që të përballet me Bosnja Hercegovinën dhe Serbinë.
“Football Meets Data” i ka dhënë 9.5 për qind shanse Kosovës për të luajtur me Uellsin, si dhe 9.1 për qind ndaj Kroacisë.
Rriten shanset edhe për kualifikim në Kampionatin Evropian
Superkompjuteri në analizat e fundit e ka parë Kosovën si një kandidat potencial për ta siguruar direkt Kampionatin Evropian.
“Dardanët” me ndeshjet e zhvilluara kanë pasur një ngrijte prej 36.3 për qind shanse për të qenë të pranishme për herë të parë në një kompeticion madhor në historinë e shtetit.

Faktikisht, ky është objektivi kryesor. Kosova i ka dhënë prioritet pozitës së dytë në këtë grup të Ligës B sepse automatikisht do ta siguronte vendin në vazon e dytë për shortin e “Euro 2028”, i cili do të tërhiqet më 6 dhjetor.
Mentalitet ndryshe dhe besim i madh që jemi në Evropian, Foda e tha hapur: Nëse nuk do të kisha shpresë, nuk do isha këtu
Te Kombëtarja e Kosovës mentaliteti ka ndryshuar rrënjësisht. Vetë përzgjedhësi Franco Foda e tha hapur këtë pas barazimit me Austrinë.
Fillimisht, tekniku gjerman deklaroi se lojtarët e Kosovës ishin të mërzitur me barazimin ndaj Austrisë. Rikujtojmë, po flasim për një kombëtare që renditet në pozitën e 23-të në botë.
“Kjo është situata. Lojtarët janë të mërzitur për barazim. Pritem një fitore të madhe, por nuk ndodhi. Para dy viteve do të ishim të lumtur me barazim, ndërsa sonte jemi të mërzitur”.
Më pas i pyetur nga “Klan Kosova” për kualifikimin e mundshëm, Foda u përgjigj në mënyrë të ftohtë: “Besoj, përndryshe nuk do të isha këtu përzgjedhës”.
Si funksionon shorti për Euro 2028?
Si zakonisht gjithçka do të jetë e njëjtë. Pra 12 kombëtare do të jenë në një vazo, kurse do të ketë pesë vazo të ndryshme. Këto kombëtare pastaj do të ndahen në grupe me katër ose pesë kundërshtarë.
Nga këto grupe, 12 vendet e para kualifikohen direkt. 8 vendet e dyta më të mira (pra me më shumë pikë në krahasim me grupet e tjera) avancojnë gjithashtu tutje. Ndërsa, katër të mbetura shkojnë në play-off.

Në rast që arrijmë ta sigurojmë këtë pozitë të dytë, atëherë do të kemi në grup vetëm një kundërshtar që është në nivel “më të lartë” në krahasim me kombëtaren tonë.
Thënë më ndryshe, qëndrimi në vazon e dytë aktualisht bënë që ne të mos përballemi me Uellsin, Çekinë, Turqinë, Zvicrën, Suedinë, Austrinë dhe Hungarinë.
Sidoqoftë, gjithçka do të kuptohet pasi të mbyllet cikli i Ligës së Kombeve më 17 nëntor. Rikujtojmë, shorti i “Euro 2028” tërhiqet me 6 dhjetor 2026./Kampionet/



