
Dukagjini është rikthyer te fitoret pas katër ndeshjeve, teksa ka triumfuar në udhëtim te Gjilani me rezultat të pastër 0-2.
Vetëm pas shtatë minutave lojë ndeshja u zhbllokua, kur kapiteni i Dukagjinit, Altin Mërlaku shënoi një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë për 0-1.
Gjilani krijoi më shumë, duke tentuar të gjej golin e barazimit, por pa sukses.
Kësisoj me epërsinë e mysafirëve 0-1 u mbyllën 45 minutat e para të kësaj ndeshje.
Edhe pjesa e dytë i takoi vendasve që kishin iniciativën dhe kërkonin me çdo kusht golin e barazimit.
Megjithatë ishin sërish mysafirët që shënuan në minutat e fundit të ndeshjes.
Zëvendësuesi Basit Khalid realizoi nga afërsia për rezultatin përfundimtar 0-2.
Me këtë fitore Dukagjini mbetet në pozitën e katërt në tabelë me 17 pikë, derisa Gjilani është e teta me 11 sosh.
Në ndeshjen e radhës, Dukagjini pret Malishevën, ndërsa Gjilani udhëton drejt kryeqytetit për t’u përballur me Prishtinën në fundjavë. /Kampionet/


