
Trajneri i Juventusit Igor Tudor thotë se sulmuesi Edon Zhegrova ende s’është rikuperuar plotësisht nga lëndimi, andaj nuk dihet se kur do të jetë në gjendje për të luajtur nga minuta e parë.
Zhegrova ishte me skuadrën italiane në humbjen ndaj Real Madridit, megjithatë qëndroi në stol pasi Tudor nuk i dha asnjë minutë.
I pyetur se kur Zhegrova mund të luajë si titullar, tekniku kroat ishte i qartë se kosovari ende nuk është në formën më të mirë të mundshme.
“Ai vjen nga një vit pa luajtur asnjë ndeshje. U bashkua me kombëtaren, por më pas u ndal pas një seance të rëndë stërvitore, duke humbur ndeshjen pasuese”.

“Ai ka këtë problem [në ijë], sa herë që shtyn pak më shumë, i rikthehet (lëndimi), ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta bëjmë të stërvitet në mënyrën e duhur, edhe në 20 apo 30 minutat e fundit. Ka cilësi në këmbët e tij, por nuk e di kur mund të fillojë një ndeshje dhe ta luajë deri në fund. Për momentin është e pamundur”.
“Ai ka kualitet dhe mund të na sjellë momente brilante gjatë ndeshjeve”, deklaroi ai.
Që prej kalimit në Itali, Edon Zhegrova ka zhvilluar vetëm 33 minuta në fanellën e “Bianconerëve”, në kuadër të kampionatit italian.
Mbetet të shihet nëse Tudor do ta lërë anësorin këmbëshpejtë të luajë në vikend, qoftë si rezervë ndaj Lazios./Kampionet/


