
Mesfushori Dardan Morina i është bashkuar zyrtarisht Lokomotiva Zagrebit nga Dukagjini.
Pasi iu ndërpre kontrata me skuadrën nga Klina, Morina bëri hapin e madh në karrierë për të nënshkruar me klubin e madh kroat.
Lokomotiva përmes një komunikate zyrtare njoftoi se 20-vjeçari është afrimi i fundit.
“Mesfushori i talentuar 20-vjeçar Dardan Morina ka nënshkruar kontratë profesionale. Ai është pjesëtar i Kosovës në grupmoshat U21. Ai karakterizohet me teknikë të shkëlqyer, kualitetin në pasin final, që konsiderohet si një nga më të mirët në gjeneratën e re të mesfushës”, thuhet në komunikatë.
Në anën tjetër, Morina është i lumtur që tani ka mundësinë për ta dëshmuar kualitetin te Lokomotiva.
“Jam falënderues për besimin që më kanë shfaqur dhe mundësinë për të qenë pjesë e klubit. Nga bisedat e para ndjeva se njerëzit kanë besim tek unë dhe kjo nënkupton shumë. Kam ardhur me dëshirë të madhe për të dëshmuar vetë dhe të jap më të mirën në secilën stërvitje dhe lojë”.
“Liga e Kroacisë është me kualitet shumë të lartë dhe do të jetë sfidë e mirë për mua. E di që Lokomotiva është skuadër me kualitet që merr rezultate të mira nga sezoni në sezon dhe prandaj jam veçanërisht i lumtur që ndodhëm këtu”./Kampionet/


