
Kombëtarja e Iranit la pas një mesazh prekës dhe plot domethënie në zhveshtore pas ndeshjes së fundit të fazës së grupeve në Kupën e Botës kundër Egjiptit, ku theksoi se “fair play është shpirti i futbollit”.
Skuadra e drejtuar nga Amir Ghalenoei e mbylli fazën e grupeve në vendin e tretë të Grupit G, pas Belgjikës dhe Egjiptit. Me tri pikët e grumbulluara, iranianët kanë gjasa të avancojnë si një nga katër ekipet më të mira të vendeve të treta.
Për një moment dukej se Shoja Khalilzadeh kishte shënuar golin e fitores në minutën e 93-të, por pas verifikimit u konstatua se një pjesë e këpucës së mbrojtësit 37-vjeçar ishte në pozitë jashtë loje gjatë aksionit, duke bërë që goli të anulohej.
Edhe pse rezultati nuk ua garantoi menjëherë kualifikimin, futbollistët iranianë lanë një letër të shkruar me dorë në zhveshtore.
“Ne vijmë nga Irani. Nga një vend që prej mijëra vitesh e ka vendosur nderin mbi fitoren. Për ne, futbolli nuk është vetëm një garë për rezultate, por një provë karakteri. Pikët mund të fitohen në mënyra të ndryshme, por respekti jo”.
“Ndoshta një skuadër mund të kalojë fazën e grupeve, por vetëm përmes drejtësisë dhe nderit mund të qëndrojë krenare përballë historisë. Fair play nuk është thjesht një rresht në rregullat e futbollit, por është shpirti i lojës”.

“Faleminderit Seattle për mikpritjen. Dhe faleminderit të gjithë iranianëve që dhanë zemrën, zërin dhe gjithë qenien e tyre për Iranin. IRANI, gjithmonë me kokën lart”, thuhej në letrën e tyre.
Ky mesazh u publikua në një ditë me tensione të mëdha politike, pasi Shtetet e Bashkuara goditën disa objekte radarike, dronësh dhe raketash në përgjigje të asaj që presidenti Donald Trump e quajti një shkelje “të pamend” të armëpushimit nga Irani.
Në fund të letrës, kombëtarja iraniane përmendi gjithashtu 168 viktimat që humbën jetën pas një sulmi me raketa në muajin shkurt, duke ia kushtuar mesazhin edhe kujtimit të tyre./Kampionet/



